Komisioni Europian - Bruksel

Foto: Denis Sllovinja

Deklarata nga samiti në Bruksel: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan, më 18 dhjetor, në Bruksel në një samit, ku përmes një deklarate përfundimtare u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet.” – thuhet në deklaratë.

BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, për të respektuar dhe për t’u përkushtuar ndaj vlerave e parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare e angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore e sundimit të ligjit – thuhet, tutje, në deklaratë.

Duke folur pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se Komisioni do të vazhdojë me integrimin gradual të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Çfarë u tha para samitit?

Duke folur pas mbërritjes, të mërkurën, në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.

Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare, që Kosova vazhdimisht të dënohet”.

Por, Ursula von der Leyen tha se BE-ja e mbështet edhe Kosovën, përfshirë edhe heqjen e masave e nisjen e procedurave për dhënien e statusit të kandidatit, por për këtë duhet tejkaluar problemet që ekzistojnë “për shkak se vendimet në BE merren me konsensus”.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me një qëndrim. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet pajtueshmëri nga vendet anëtare, të cilën tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim. Sepse, gjithsesi, është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë.” – tha von der Leyen.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, por Kërkesa e saj nuk është shqytuar ende. Si rrjedhojë, ajo është vendi i vetëm në Ballkan, i cili ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Duke folur për çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Osmani tha, para takimit, se ato, pos që janë të “padrejta” janë edhe “joevropiane”. Sepse, siç u shpreh: “po e dënojnë një popull me 1.7 milionë banorë, i cili është populli më proevropian në rruzullin tokësor, me mbi 97% të qytetarëve të saj, që mbështesin procesin e integrimit në BE.”

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në Veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Ndërkohë, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas tha para fillimit të samitit se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se gjeografikisht i përket Evropës.

“Është e qartë se Komisioni Evropian, së bashku me mua, dëshiron me të vërtetë të shohë përparim në procesin e zgjerimit, gjatë pesë vjetëve të ardhshme të mandatit tim. Jemi të gatshëm të punojmë për këtë.” – tha Kalas.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq tha se vendi i tij është “lider” në negociatat e anëtarësimit dhe se ambicia e tij është të bëhet anëtari më i ri i BE-së.

“Kemi vendosur një objektiv shumë ambicioz – për t’u bërë shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028. Ky është një qëllim ambicioz, por – sipas mendimit tonë – ende i arritshëm. Dhe, besojmë se duke u bërë Mali i Zi pjesë e BE-së, mund të dërgojmë së bashku një mesazh shumë të fuqishëm, të qartë dhe pozitiv për të gjithë të tjerët, për të gjitha vendet kandidate të tjera, se zgjerimi është ende i gjallë.” – tha Millatoviq.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht gjashtë, pasi i nisi negociatat për anëtarësim më 2012.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se pret bisedime të mira gjatë samitit, por shtoi se nuk ka pritshmëri të mëdha nga ky takim.

“Është mirë që mund të përgjigjemi ndaj të pavërtetave, të cilat do t’i thonë patjetër për Serbinë. Dhe, kaq.” – tha Vuçiq, para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ato 22, ajo i ka mbyllur 2 përkohësisht. Por, negociatat mes Beogradit e Brukselit janë praktikisht të ngrira, tash e tri vjet, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, në samitin e përbashkët, që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit.

Kosovës dhe Serbisë i kërkohet t’i zbatojnë Marrëveshjet

Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete, sikur edhe me fqinjët në BE – në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.

“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i Marrëveshjeve bilaterale, me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme – përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë e Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, të cilat mbeten kyçe.” – thuhet në këtë dokument.

Në veçanti, Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre – duke i përmbushur detyrimet të cilat dalin nga Dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.

“Marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës – përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit – duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve, që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave, të cilët u përkasin pakicave.” – theksohet në tekstin e deklaratës.

Të pranishëm në samit nga Ballkani ishin, edhe: kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.

Pos shefave të shteteve apo Qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit. Pastaj, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas./REL