Dedaj: Thaçi as një faj ma të vogël nuk e ka pasë për situatën në Qirez

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se Hashim Thaçi është i pafajshëm në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në fshatin Qirez të Skenderajt më 1998. Por ai u shpreh se ndihet i kërcënuar pas marrjes në pyetje në Speciale.

Dedaj po vijon të japë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në kuadër të gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai është duke u pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për ngjarjet që kishin ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Në senacën e së martës, Dedaj theksoi se Hashim Thaçi i kishte shpëtuar atë dhe të ndaluarit e tjerë në fshatin Qirez të Skenderajt më 1998.

Sipas tij, Thaçi ishte “absolutisht i pafajshëm” për atë çfarë ka ndodhur në Qirez.

“Unë e kam vizituar sërish Qirezin dhe kam biseduar, kam mbledhur informata dhe jam bind se presidenti Hashim Thaçi as ni faj ma të vogël nuk e ka pasë për atë situatë në Qirez. Është absolutisht i pafajshëm, bile e falenderoj sepse mos të kishte qenë ky në atë moment atje nuk e di se çka do të kishte ndodhur me ne”- deklaroi ai.

Dedaj gjatë dëshmisë është shprehur se ndihet i kërcënuar pas marrjes në pyetje nga Gjykata Speciale në Hagë dhe tregoi se ka marrë shumë kërcënime dhe ofendime në rrjetet sociale.

“Jam brengos shumë sepse dje kam marrë qindra ofendime nga milingonat e Facebook-ut. Bile nuk kam arrit me flejt dje. Unë jam duke e pësuar, dhe ka hakmarrje edhe ndaj fëmijëve të mi në vendet e tyre të punës”- tha Dedaj.

Ish-ambasadori  Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.