Dedaj në Hagë: Me dëshirë do shkoja në burg dhe do pranoja pushkatimin

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se më përpara ka dëshirë “që të shkonte në burg të përjetshëm si dhe është i gatshëm edhe të pushkatohet”.

Dedaj po vijon të japë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në kuadër të gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai është duke u pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për ngjarjet që kishin ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Në senacën e së martës, Dedaj kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që të mos e vendosin në pozita të rënda emocionale dhe shpirtërore, duke argumentuar se ky trajtim po e shkatërron jetën e tij.

“Me këto çka po tregoni tash dmth vetëm sa po na shkatërroni jetën, se kurrgjë nuk jeni ka fitoni asnjë sen. Unë me ju thanë të drejtën ma përpara kisha pas dëshirë, me siguri keni naj dhomë burgu me shku në burg të përjetshëm, tash jau nënshkruaj me shumë dinjitet, me shumë gatishmëri edhe pushkatim, por mos me qit në këso pozitash të rënda shpirtërore, emocionale e familjare”- tha Dedaj.

Kjo deklaratë erdhi pasi prokurorja e pyeti Dedajn për një konferencë për shtyp që ishte organizuar në Prishtinë në lidhje me ngjarjen në Baicë. Në fotografitë e prezantuara nga Zyra e Prokurorit Specializuar, vërehet Sokol Blakaj me një shenjë në kokë, dhe Dedaj u pyet nëse ky lloj lëndimi ka ardhur si pasojë e trajtimit në Baicë.

Por ZPS e përballi Dedajn me deklaratën e vitit 2014, në të cilën ai kishte pohuar se kishte pësuar lëndime të rënda nga trajtimi në Baicë.

“Ju jeni përgjigjur se ishin shumë të rëndë për disa ditë i gjithë krahu m`u nxi, deri tek gishtat dhe kur ndryshon koha, krahu i djathtë prej shpatullës deri tek maja e gishtit, tek thojtë deri tek gishtat me dhëmb. Ky është një lëndim i përhershëm që më ka mbetur. Në atë kohë ju ja keni treguar një fotografi hetuesve ku shihej lëndimi juaj. A është kështu?”- pyeti prokurorja.

Dedaj përsëriti se lëndimi i tij ishte rezultat i rrëzimit në mal, dhe jo i trajtimit në Baicë.

“Nuk kam treguar kurrfarë fotografie, nuk më kujtohet që kam tregu ndonjë fotografi. Lëndimi im, e kam spjegu që ishte nga rrëzimi dhe unë kam të drejtë me u rrezu dhe kam të drejtë me u ngritë”- sqaroi Dedaj.

Dedajt më tej iu shfaqën fotografi të konferencës së shtypit në Prishtinë, ku sipas prokurores shihej dora e nxirë e Dedajt për të cilën ai tha se i ka ardhur si pasojë e rrëzimit në malin e Qyqavicës.

“Krejtësisht normal. E shoh edhe mirë që i pasna dy durat që mund t’i shoh. Po e shoh edhe veten kur kam qenë i mirë. Nëse është i nxirë ju kam tregu se këto pyetje janë për shembull unë me kanë Ajnshtajni ose s’di kush me kanë, me kanë robot me CD, nuk muj unë me i dijtë. Thash se jam rrëzu. Jam rrëzu 2-3 herë nuk është e rëndësishme sepse ka qenë terreni i tillë, ka ra shi, ka qenë rrëshqitëze, ka qenë terren me gropa, ka qenë natë, kemi ecë nëpër mal dhe tash nëse jam rrëzu unë ose nëse ka ra shi ju doni me e fajsu UÇK-në”- theksoi Dedaj.

Me këto pyetje, prokurorja përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit Gjergj Dedaj dhe kërkoi nga trupi gjykues që si prova materiale të pranohen deklaratat e Dedajt të dhëna në vitin 2014 pranë ZPS-së dhe ato pranë UNMIK-ut në vitin 2001.

Pas kësaj, prokurorja kërkoi që deklarata e Dedajt të pranohet si provë materiale në gjyq, përfshirë atë të dhënë para Zyrës së Prokurorit të Specializuar në vitin 2014 dhe atë para UNMIK-ut në vitin 2001.

Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.