Dedaj në Hagë: Kemi kërku birra, si në hotel na kanë sjell birra

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po vijon të japë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në kuadër të gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dedaj është pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuarr për situatën sa ka qenë i ndaluar në Baicë nëse ka qenë i paraburgosur dhe nëse janë furnizuar me ushqim dhe ujë.

“Ka qenë katastrof, ishte shumë keq por askush nuk mendonte të gjente ndonjë ushqim. Ne e ndjenim vetën shumë keq për shkak të turpit nga rrahjet që ishim nënshtruar. Në shtëpinë e Mehmetit ne ishim ulur në tavolinë bashkë me Hashimin, Sabitin dhe të tjerët dhe gjatë ngrënies së ushqimit Ismail Mehmeti, kreu i shtëpisë më bëri një pyetje nga jam”- lexoi prokurorja deklaratën e Dedajt.

Por Dedaj e mohoi këtë deklaratë kur u pyet përsëri nga prokurorja për këtë situatë.

“Provokimet nuk kanë të ndalur, e ju vazhdoni. Unë jam këtu dhe ju falenderoj për këto provokime. Ne nuk kemi shku atje në pushime në Maldive, as pushime verore. Kosova digjej, Drenica ishte në flakë, s’kishte bukë as për fëmijë, e kam përshkru dje fëmijën duke e ngrënë bukën me baltë”- deklaroi Dedaj.

Sipas Dedajt, situata ka qenë ndryshe dhe prokurorja nuk po e përshkruan të gjithën.

“Kemi pas ushqim të bollshëm. Në zonat e luftës posaqërisht në Drenicë nuk ka pas ushqim as për fëmijë. Ne kemi ngrënë atë që kemi ngrënë me pjesëtarët e UÇK-së, normal që s’na ka pëlqy ajo buka sepse ishim mësu me ushqim tjetër. Por ju nuk po e cekni kur kemi kërku birra si në hotel na kanë sjell birra në (Qirez) Baicë”- tha Dedaj.

Ish-ambasadori  Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.