Departamenti Amerikan i Shtetit - Foto: REL
DASH: I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët kosovarë
Departamentit Amerikan i Shtetit, përmes zëdhënësit Mattheë Miller, i ka kërkuar Serbisë që menjëherë t’i lirojë pa kushte tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar” – ka thënë Miller.
Ai ka shtuar se SHBA i bën thirrje të dyja vendeve që t’i kthehen dialogut dhe të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian.
“Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”-ka shtuar Miller.
Policia e Kosovës më 14 qershor ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues kidnapuar nga autoritetet serbe.
KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se mbetet e paqartë vendnodhja se ku gjendeshin policët e Kosovës kur, sipas KFOR ishin arrestuar.
Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune.
Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.
Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.
Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.
Lirimin pa kushte të policëve të Kosovës e kanë kërkuar edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania.