KFOR: Mbetet e paqartë se ku ishin tre policët kur u arrestuan

KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se mbetet e paqartë vendnodhja se ku gjendeshin policët e Kosovës kur, sipas KFOR ishin arrestuar.

“Pas ndalimit më 14 qershor të tre policëve të Kosovës, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.

“Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it” – thuhet tutje në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i ka thënë se në këtë lokacion, afër vijës kufitare administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in.

“Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in. I rikujtojmë të dyja palët përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, trupat paqeruajtëse të NATO-s u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë.

Policia e Kosovës më 14 qershor ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues kidnapuar nga autoritetet serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer si  hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.