Arkiv - Xhabir Zharku

SHBA sanksionon ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun

Departamenti Amerikan i Shtetit njofton se ka futur në “Listën e zezë” ish-kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharkun.

Sipas njoftimit të DASH, gjatë detyrës së tij zyrtare si kryetar i Komunës, Zharku u përfshi në akte korruptive, duke përdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit.

“Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i Komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”- thuhet në komunikatë.

Në nëntor të vitit 2023, Gjykata e Apelit pati marrë vendim me të cilin e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajit më të cilin Xhabir Zharku ishte liruar nga akuzat.

Xhabir Zharku kishte qëndruar në paraburgim nga 15 dhjetori i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2020, kur ishte liruar me dorëzani.

Për lirimin nga paraburgimi, Zharkut i ishte dashur që si dorëzani të paguajë shumën 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, kishte shpërdoruar pozitën e tij zyrtare.

I njëjti kishte vepruar në atë mënyrë që kishte lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në një pronë e cila ka qenë pronë e Komunës dhe të njëjtën ia kishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje në pikën dy të aktakuzës ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështjeje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë LINK.