Albin Kurti

Kurti: Dyshojmë që tre zyrtarët policorë janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas “rrëmbimit” të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, duke ftuar faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt.

Sipas Kurtit, hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është “agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës” – ka shkruar kryeministri Kurti.

Ai thotë se Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.

Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të “rrëmbyer” policor.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë” – ka shkruar Kurti.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”- ka thënë Policia e Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kidnapimit të siç e ka quajtur të tre zyrtarëve policorë kufitar në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”- ka thënë Sveçla në postimin e tij në Facebook.

Ministri ka thënë se kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj.