COVID-19: Ministria e Shëndetësisë vendos për "orën policore"

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media kanë treguar se do të ndërmerren masa më strikte sa i takon parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 në Kosovë.

Sipas Kryeministrit Kurti që nga nesër secila komunë do të ketë vendim për masa të reja ndërsa këto masa do t’i ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë.

“Koha nëpër të cilën jemi nuk është aspak normale. Situata emergjente që është krijuar e që ka prekur të gjithë botën na ka dhënë hapësirë që të fokusohemi në masat preventive. Ne jemi të përkushtuar që të veprojmë para se të bëhet vponë. Këto masa preventive na kanë kushtuar pak. Ju gjithë e dini se Gjykata Kushtetuese na ka dhënë kohë deri nëse që të shikojmë edhe njëherë vendimin, ajo nuk e ka kontestuar vendimin që e kemi marrë por ka konstatuar se masat duhet të merren nga MSh dhe jo për krejt Kosovën por për komuna veç e veç. Prej sot marrja e vendimeve do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ministritë të cilat janë në këtë proces”, tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tregoi në lidhje me takimet dhe masat e ndërmarra.

“Sot ne jemi duke luftuar me një armik të padukshëm. Duhet të bashkëpunojmë për të mbrojtur shëndetin publik. Pakujdesia më e vogël na kushton humbje të mëdha të jetëve. Sëmundja e COVID-19 javëve në vijim do të hyjë në mënyrë kulmimante të prekjes. Falë masave të ndërmarra kemi arritur që deri sot të kemi situatë të kontrolluar në raport të të sëmurëve por kjo nuk mjafton. Gjatë ditëve të fundit kemi pasur një numër të madh të infektuarish, kemi marrë rekomandimet për masa më rigoroze. Çdo lëshim i vogël mund të na kushtoj shumë. Jemi në situatë kur nuk duhet dhe nuk mundemi ta tolerojmë virusin dhe na duhet bashkëpunimi me ju qytetar. Marrë parasysh këtë, prej sot në mesnatë hyjmë në fazën që secila komunë do të ketë masa të izolimit dhe qarkullimit”, tha Vitia.

Ai shtoi se kanë marrë rekomandime të reja nga IKSHP.

“Në orët e pasditës që kemi pasur, kemi marrë rekomandimet për shtrëngimin e masave dhe do të jenë në fuqi deri në vendimin e radhës dhe presim që masat më rigoroze do të bëhen publike dhe do të hyjnë në fuqi brenda 2-3 ditësh”, tha tutje Vitia.