Ilustrim - Foto: REL/Reuters

Coronavirus në Kosovë: Mostrat e fundit dalin negative

13 persona janë testuar për coronavirus gjatë ditës së djeshme dhe rezultatet kanë dalë negative.

Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë me anë të një komunake duke treguar edhe se deri më tani janë testuar 220 mostra të ndryshme nga të cilat vetëm pesë kanë dalë pozitive.

“Pesë rastet pozitive për virusin SARS-CoV-2 janë: tri raste nga Stublla e Vitisë, (dy prej tyre kontakte të rastit të parë) i ardhur nga Bergamo e Italisë, njëri rast shtetase italiane me vendqendrim në Leskoc të Klinës si dhe  një rast kosovare e ardhur nga Italia-Brescia me vendqëndrim në Bubavec-Malishevë. Pra tri raste janë të gjinisë femërore të moshës 20, 37, 39 vjeç dhe dy prej tyre të gjinisë mashkullore 77 dhe 42 vjeç”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas MSH-së, në orët e vona të mbrëmjes dë djeshme janë testuar edhe 13 mostra tjera dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me  COVID-19,  po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetë izolim shtëpiak”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 875 thirrje, ndërsa në 24 orët e fundit janë pranuar 452 thirrje telefonike.

“Ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontaktevetë rasteve pozitive me COVID-19  për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive. Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar p[r vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet tutje në njoftim.

Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.

“Nga data 01.02.2020 deri me 15.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 7.326 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 479 udhëtarë, Merdare 3.328, Vërmicë 2.488, Jarinje 564, Dheu i Bardhë 109, Hani i Elezit 77, Kullë 224, Qafë Morinë 35,  Bërnjak 11, Qafë Prush 8, Muçibabë 2 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë”, vazhdon njoftimi i MSH-së.