Çka thuhet në raportin e Komisionit Europian për rastin e Klan Kosovës?

Komisioni Europian ka vlerësuar se vendimi për tërheqjen e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova, ka ngritur shqetësime serioze, në qershor të vitit 2023.

Në raportin e Komisionit Europian për Kosovën, thuhet se një veprim i tillë mund të ketë ndikim negativ në gjendjen e lirisë së mediave.

“Në qershor, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve pezulloi licencën e biznesit të Klan Kosova, një prej mediave kryesore private. Një veprim i tillë mund të ketë ndikim negativ në gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë”- thuhet në raport.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, më 14 qershor kishte njoftuar se ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria kishte njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ndërsa, gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, e kishin gjetur si të pabazuar ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj ‘Klan Kosova’ dhe kanë vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Kurse, në përgjithësi, Komisioni Europian ka vlerësuar se është bërë progres i kufizuar sa i përket rekomandimeve të vitit të kaluar lidhur me lirinë e mediave në Kosovë dhe sigurinë së gazetarëve.

Sa i përket transmetuesit publik, në raport thuhet se ndarja buxhetore e RTK-së mbeti nën shumën e përcaktuar me ligj në Ligjin për ndarjet buxhetore, duke e shtyrë RTK-në të vlerësojë mundësitë për financimin me pjesëmarrje dhe një riorganizim të strukturës së saj të brendshme.

Raporti për Kosovën tutje citon shqetësimet e shoqërisë civile dhe opozitës për emërimin e Rilind Gërvallës në postin e Drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës për kanalet në gjuhën shqipe për shkak të lidhjeve të dyshuara me partinë në pushtet.

Ndërsa, është theksuar se nuk janë ndërmarrë hapa drejt miratimit të projektligjit për transmetuesin publik (RTK- në) i propozuar në vitin 2018.

Raporti i Komisonit Europian vlerëson se mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare e lë median të pambrojtur ndaj interesave politike dhe të biznesit.

Po ashtu, raporti flet edhe për kushtet e gazetarëve brenda redaksive, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të punojën me kontrata afat-shkurtra, apo pa to fare.

Në ketë dokument thuhet se në vitin 2022, Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë (AGK) ka raportuar 33 raste të frikësimit, kërcënimimit dhe sulmit ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias.

“Me vendosjen e barrikadave dhe rritjen e tensionit politik në veri të Kosovës, kanë ndodhur një seri e sulmeve që kanë pasur cak gazetarët dhe profesionistët e tjerë medialë të mediave në gjuhën shqipe. Gjatë majit dhe qershorit 2023, një numër i paprecedent sulmesh kundër gazetarëve dhe profesionistëve medialë ka ndodhur. AGK-ja, ka regjistruar mbi 30 sulme, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të pajisjeve dhe veturave”- thuhet tutje në raport.

Komisioni Europian thotë se AGK-ja, ka kontribuar në programin “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”, me të cilin Kosova u ka ofruar hapësirë të sigurte 20 gazetarëve nga Ukraina, shumica nga to gra, si edhe 6 gazetarëve nga Afganistani.

Komisioni Europian për lirinë e mediave në Kosovë: Nuk u përmbushen rekomandimet e vitit të kaluar