MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

Komisioni Europian për lirinë e mediave në Kosovë: Nuk u përmbushen rekomandimet e vitit të kaluar

Komisioni Europian ka vlerësuar se është bërë progres i kufizuar sa i përket rekomandimeve të vitit të kaluar lidhur me lirinë e mediave në Kosovë dhe sigurinë së gazetarëve.

Në raportin e Komisionit Europian për Kosovën, për vitin 2023, thuhet se mbesin shqetësuese sulmet fizike dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, si edhe fushatat publike denigruese dhe gjuha e urrejtjes.

“Jo të gjitha sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave u raportuan tek autoritetet, edhe pse viti 2022 pa një rritje të rasteve të raportuara. Posaçërisht shqetësuese është liria e shprehjes në veriun e Kosovës, duke përfshirë vetë-cenzurën dhe sigurinë e gazetarëve dhe profesionistëve të medias”- thuhet në raport.

Tutje thuhet se gjatë këtij viti, nuk ka pasur përparim në amandamentimin e Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës dhe as në amandamentimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, për ta përshtatur me Direktivën e BE-së për Mediat Audio-vizuele.

Në raport theksohen edhe sulmet ndaj gazetarëve në komunat në veri të Kosovës gjatë muajve maj dhe qershor.

“Me vendosjen e barrikadave dhe rritjen e tensionit politik në veri të Kosovës, kanë ndodhur një seri e sulmeve që kanë pasur cak gazetarët dhe profesionistët e tjerë medialë të mediave në gjuhën shqipe. Gjatë majit dhe qershorit 2023, një numër i paprecedent sulmesh kundër gazetarëve dhe profesionistëve medialë ka ndodhur. AGK-ja, ka regjistruar mbi 30 sulme, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të pajisjeve dhe veturave”- thuhet tutje në raport.

Raporti për Kosovën tutje citon shqetësimet e shoqërisë civile dhe opozitës për emërimin e Rilind Gërvallës në postin e Drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës për kanalet në gjuhën shqipe për shkak të lidhjeve të dyshuara me partinë në pushtet.

Ndërsa, është përmendur edhe kontrata ndërmjet RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që sipas raportit, nga komuniteti artistik dhe shoqëria civile u pa si të pafavorshme për pavarësinë editoriale të RTK-së.

Raporti i Komisonit Europian vlerëson se mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare e lë median të pambrojtur ndaj interesave politike dhe të biznesit.

“Kjo përforcohet më tej nga mungesa e informacionit dhe e të dhënave rreth pronësisë së medias – dispozitat për këtë ende nuk janë të përfshira në ligj”- thuhet në raport.

Po ashtu, theksohet se vendimi për tërheqjen e licencës së biznesit të një transmetuesi të madh privat (Klan Kosova) ka ngritur shqetësime serioze.

Raporti flet edhe për kushtet e gazetarëve brenda redaksive, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të punojën me kontrata afat-shkurtra, apo pa to fare.

Sipas raportit, Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë përmbushur dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme.

Rekomandimet që mbesin nga viti i kaluar janë:

– Të përmirësojë bashkëpunimin institucional dhe reagimin e institucioneve kyçe për sulmet kundër gazetarëve dhe format e tjera të presionit, duke forcuar kapacitetet e prokurorisë, gjykatave dhe organeve të rendit për t’u marrë me rastet e lirisë së shprehjes dhe informacionit;

– Të rishikojë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës për të gjetur financim të qëndrueshëm në mënyrë që të ruhet pavarësia e tij; të rishikojë Ligjin për KPM-në, që t’i përditësojë kompetencat e tij, duke përfshirë mbi mediat audio-vizuale, në linjë me Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale;

– Të rrisë qasjen në të dhënat për tregun audio vizual, posaçërisht mbi pronësinë e mediave.