Çka dihet rreth objektit në Zveçan në të cilin u gjetën thasët me rërë?

Vetëm pak metra larg nga ndërtesa e Komunës së Zveçanit, gjendet një objekt – pronë e komunës por që synohej të funksiononte si qendër rinore, në të cilin Policia e Kosovë të martën kreu bastisje.

Kështu të paktën ka mësuar KALLXO.com nga burime brenda policisë.

Që nga orët e hershme të mëngjesit, ekipet e policisë kryesisht hetues policorë nën asistencë edhe të disa zyrtarëve të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, por edhe pjesëtarëve të EULEX-it kishin nisur një bastisje në këtë objekt.

Informacionet që kishte pranuar policia ishin për disa materiale të dyshimta të cilat ishin përdorur në të kaluarën në barrikada.

Fjala ishte për disa thasë me rërë të cilat ishin përdorur për krijimin e disa llogoreve/istikameve në kohën e barrikadave.

Objekti tre-katësh i fasaduar me disa tavolina në disa prej dhomave, nuk ishte funksionalizuar ende.

Që nga kati i parë vërehen gjurmë të rërës e cila dyshohet se ishte dërguar aty, më pas ishin mbushur thasët dhe ishin dërguar në katin e tretë për tu përdorur sërish në rast të ndonjë incidenti tjetër.

Zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani gjatë një interviste për KALLXO.com nga vendi i ngjarjes tregon edhe se si ishte marrë informacioni.

Materiali nga rëra sipas Elshanit, ishte shfrytëzuar në kohën e barrikadave në vitin 2022. Që nga ajo kohë sipas Elshanit rëra dhe thasët janë bartur më pas në këtë objekt në pronësi të komunës së Zvecanit.

Tutje Elshani shpjegon se këto thasë dyshohet se janë përdorur si llogore për të sulmuar policinë dhe për të ruajtur apo mbrojtur barrikadat.

Gjithashtu këto llogore u përdorën edhe për të vënë në kontroll rrugët kryesore që të dërgojnë në Zveçan.

Elshani në intervistën për KALLXO.com jep detaje se në çfarë përdoren këto llogore.

“Zakonisht këto istikame përdoren në gjendje rezistence në kohë lufte”- thotë Elshani për KALLXO.com.

Në hyrje të objektit nga jashtë shihet edhe një nga llogot e njërit prej grupeve që është shpallur terroriste.

Logoja e “Brigadës së Veriut” ishte vendosur në këtë objekt. Elshani tha se ky objekt dyshohet se është kontrolluar dhe shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

“Kjo është edhe një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rend dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”- thotë Elshani për KALLXO.com.

Thasë me rërë e llogore nuk janë të parat këto që janë hasur nga ana e policisë.

Të ngjashme u patën identifikuar edhe në vitin 2022 në disa zona të ndryshme të veriut kur pati tensione, u krijuan barrikada e pati sulme të shumta të raportuar edhe ndaj policisë, edhe ndaj misioneve ndërkombëtare.

Në orët e pasdites, bastisja në objektin pronë e Komunës së Zveçanit përfundoi. Thasët me rërë u shkatërruan ndërsa rëra mbeti në objekt.

Hetuesit policorë morën prova materiale dhe më pas u larguan edhe nga vendi i ngjarjes.

Përfundon bastisja në Zveçan, Policia shkatërron thasët me rërë – FOTO