Çfarë rëndësie ka dhe çfarë mesazhi përçon në botë vizita e papritur e Biden në Ukrainë

Presidenti Joe Biden bëri një vizitë të paparalajmëruar të hënën në Ukrainë për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, një gjest solidariteti që vjen disa ditë para përvjetorit të një viti të pushtimit rus të Ukrainës.

Biden dha disa komente dhe u takua me Zelensky në Pallatin Mariinsky për ta bërë publike prej atje një ndihmë prej gjysmë miliardi dollarësh shtesë nga SHBA dhe për ta siguruar Ukrainën për mbështetjen amerikane dhe si aleate ndërkohë që konflikti ushtarak me Rusinë vazhdon.

Vizita në Ukrainë vjen në një moment vendimtar të luftës, pasi Biden kërkon t’i mbajë aleatët të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën pasi lufta pritet të intensifikohet me të dyja palët duke u përgatitur për ofensiva pranverore. Zelenskyy po ushtron presion ndaj aleatëve për ta përshpejtuar shpërndarjen e sistemeve të armëve të premtuara dhe po i bën thirrje Perëndimit të dorëzojë avionë luftarakë në Ukrainë – diçka që Biden deri më sot ka refuzuar ta bëjë.

Misioni i Biden me vizitën e tij në Kiev – dhe më pas në Varshavë – është ta vë theksin tek fakti se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të qëndrojnë me Ukrainën “për aq kohë sa duhet” për t’i zmbrapsur forcat ruse, edhe pse sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se mbështetja e SHBA dhe aleatëve për ofrimin e armatimeve dhe ndihma direkte ekonomike ka filluar të zbutet. Për Zelenskyyn, simbolika e të pasurit presidentin e SHBA-së krah për krah në tokën ukrainase ndërkohë që afrohet përvjetori nuk është gjë e vogël pasi ai nxit SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë armatim më të avancuar dhe të rrisin ritmin e dorëzimit.

Vizita gjithashtu i jep Biden një mundësi për të parë nga afër shkatërrimin që pushtimi rus ka shkaktuar në Ukrainë. Mijëra trupa dhe civilë ukrainas janë vrarë, miliona refugjatë kanë ikur nga lufta dhe Ukraina ka pësuar dhjetëra miliarda dollarë dëme në infrastrukturë.

Udhëtimi i Biden shënon gjithashtu një akt sfide ndaj presidentit rus Vladimir Putin, i cili kishte shpresuar se ushtria e tij do ta pushtonte me shpejtësi Kievin brenda disa ditësh. Një vit më vonë, kryeqyteti ukrainas ka mbijetuar dhe një pamje normaliteti është rikthyer në qytet pasi luftimet janë përqendruar në lindje të vendit, të shoqëruara nga sulmet me raketa navigimi dhe me dronë kundër infrastrukturës ushtarake dhe civile.

Biden pa nga afër terrorin me të cilin ukrainasit kanë jetuar për gati një vit, teksa sirenat e sulmeve ajrore ulërinin mbi kryeqytetin pikërisht kur ai dhe Zelenskyy po dilnin nga një katedrale që vizituan së bashku. 

Megjithëse sistemet perëndimore të raketave tokë-ajër e kanë forcuar mbrojtjen e Ukrainës, kjo vizitë shënon një rast të rrallë kur një president i SHBA-së ka udhëtuar në një zonë konflikti e ku SHBA ose aleatët e saj nuk kishin kontroll mbi hapësirën ajrore. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse SHBA-ja i kishte dhënë ndonjë paralajmërim paraprakisht Moskës zyrtare për vizitën në Ukrainë për ta shmangur çdo llogaritje të gabuar që do të mund t’i sjellë pastaj dy vendet e armatosura bërthamore në konflikt të drejtpërdrejtë.

Ushtria amerikane nuk ka një prani në Ukrainë përveç një detashmenti të vogël marinsash që e ruajnë ambasadën në Kiev, duke e bërë vizitën e Bidenit më të komplikuar se vizitat e tjera të fundit të liderëve të mëparshëm amerikanë në zonat e luftës.

Prej javësh janë ngritur spekulime se Biden do ta bënte një vizitë në Ukrainë rreth përvjetorit të 24 shkurtit të pushtimit rus. Por Shtëpia e Bardhë kishte thënë vazhdimisht se nuk ishte planifikuar asnjë udhëtim presidencial në Ukrainë, edhe pasi vizita që do të bëhej në Poloni u njoftua në fillim të këtij muaji.

Në Shtëpinë e Bardhë, planifikimi për vizitën e Biden në Ukrainë u mbajt sekret – me një grup relativisht të vogël ndihmësish të informuar mbi planet e këtij udhëtimi – për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

I pyetur nga një gazetar të premten nëse Biden mund ta përfshijë ndonjë vizitë përtej Polonisë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby u përgjigj: “Tani për tani, udhëtimi do të bëhet në Varshavë”. 

Biden u largua në heshtje nga baza e përbashkët Andreës pranë Uashingtonit pak pas orës 4 të mëngjesit të së dielës sipas orës lokale, duke bërë një ndalesë në bazën ajrore Ramstein në Gjermani përpara se të shkonte në Ukrainë.

Udhëheqës të tjerë perëndimorë e kanë vizituar Kievin që nga fillimi i luftës.

Në qershor, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe më pas kryeministri italian Mario Draghi udhëtuan së bashku me trenin e natës për në Kiev për t’u takuar me Zelenskyyn. Kryeministri britanik Rishi Sunak vizitoi Kievin në nëntor pak pasi mori detyrën.

Kjo është vizita e parë e Biden në një zonë lufte si president. Paraardhësit e tij të fundit, Donald Trump, Barack Obama dhe George W. Bush, bënë vizita të papritura në Afganistan dhe Irak gjatë presidencave të tyre për t’u takuar me trupat amerikane dhe udhëheqësit e këtyre vendeve./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala