Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Çështja valutës, Osmani: Aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar lidhur me reagimet rreth zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.

Osmani ka thënë se aleatët asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës, e as pro dinarit serb.

Ajo ka thënë se Kushtetutën dhe çdo sukses tjetër, Kosova e ka arritur bashkë me aleatët e saj.

“Aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës. Aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit serb. Asnjëherë nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit, përkundrazi këtë Kushtetutë dhe çdo sukses që e kemi arritur, e kemi arritur bashkë me aleatët tanë. Unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në gjetjen e rrugëve shumë efektive nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, e cila nuk është rregullore kundër dinarit, por është rregullore që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave”- ka thënë ajo.

Në konferencë për media pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët në gjetjen e rrugëve për zbatimin sa më efektiv dhe afatgjatë të Kushtetutës nuk është gjë e keqe.

Fillimi i zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila thotë se Euro është e vetmja valutë zyrtare si mjet pagese në Kosovë, ka ngjallur reagimin e diplomatëve perëndimorë të akredituar në Kosovë, të organizatave ndërkombëtare dhe të serbëve lokalë.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se serbët lokalë mund të pranojnë çfarëdo lloje ndihme nga Serbia por që ato duhet të jenë në kanale zyrtare dhe të ligjshme e në euro.

Osmani pas takimit me ministrin gjerman: Është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s