Këshilli grevist i SBAShK-ut dhe BSPK-së vizitojë çerdhen "Lulevera" në Prishtinë/ Foto: KALLXO.com

Çerdhja 'Lulevera' në Prishtinë në grevë, SBAShK-u insiston në përmbushjen e kërkesave të tyre

Çerdhja ‘Lulevera’ në Prishtinë në mesin e institucioneve tjera arsimore, po vazhdon grevën, ndërsa SBASHK-u dhe BSPK-ja po insistojnë në mbajtjen e grevës nga institucione arsimore deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

1 shtatori i sivjetshëm e gjeti fillimin e vitit të ri shkollor mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Në këtë grevë janë të përfshira edhe çerdhet publike.

Në lidhje me këtë, Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), i shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë vizituar sot çerdhen “Lulevera” në Prishtinë.

Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva do të përfundojë kur të përmbushen kërkesat e mësimdhënësve.

“Kemi ardhur sot më shumë për të ju treguar se jemi me ju. Jemi munduar me muaj të tërë që të mos vijmë deri këtu. Sot po vizitojmë edhe shkolla dhe keni mesazhin e tyre falënderuese Greva do të përfundojë vetëm kur do të thoni ju do të mbyllet kur të përmbushen kërkesat tona” – ka thënë Jasharaj duke shtuar se fajtor për këtë grevë është dikush tjetër.

“Greva sot është me fajin e dikujt tjetër kemi nxënës në shtëpi dhe mësimdhënës në grevë. Ju premtoj se do të jemi zëri juaj” – ka vijuar ai.

Ndërsa, Mimoza Kadishani, edukatore në çerdhen Lulevera, ka kërkuar nga SBASHK që ata të mos dorëzohen në kërkesat e tyre.

“Ne kërkojmë nga ju që mos me u dorëzu, Ne duke u kërcenu se do të na ndalet paga..Kërkoj një protestë të madhe, jo vetëm tek paga, por janë shumë çështje që jemi duke u përballë” – është shprehur Kadishani e cila ka thënë se se ndalja e pagave të mësimdhënësve është kërcënim.

“Për neve nuk është e lehtë që te na ndalet paga. Ta keni parasysh që kjo është kërkesë e jona, sepse ne po kërcënohemi, nëse na ndalet paga për neve është kërcënim”.

Greva e përgjithshme ka filluar nga 25 gushti dhe ishte paralajmëruar më herët nga BSPK të cilët kanë thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa qeveria të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e tyre.