Ilustrim

1 shtatori, mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit

1 shtatori, fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Të mërkurën, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot do të fillojë viti i ri shkollor.

Nagavci tha se MASHTI është kordinuar me drejtoritë e arsimit nëpër komuna dhe se të gjitha shkollat janë të gatshme për të nisur mësimin.

Kurse, Këshilli i Prindërve i Kosovës ka kërkuar që nxënësit nesër të shkojnë në shkollë dhe të fillojnë mësimin.

Sipas konkluzioneve të Këshillit, fëmijët gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë.

Këshilli i Prindërve vlerëson se greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor është veprimi më ekstrem sindikal që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët dhe prindërit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.