Arkiv - Ilustrim

Nis greva e sektorit publik në Kosovë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga sot ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës. Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.

Anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, të shoqëruar nga anëtarët e Këshillave Greviste të Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së, nga ora 11:00 sot do të vizitojnë grevistët e Administratës Komunale në Komunën e Prishtinës.

Udhëheqësi i sindikalistëve, Atdhe Hykolli në një konferencë për media kishte thënë se greva iu ka mbetur si zgjidhja e vetme pasi që, sipas tij, Qeveria nuk i ka përfillur kërkesat për dialog.

“BSPK i përdori të gjitha mjetet dhe rrugët të organizimit sindikal drejt kërkesave të arsyeshme të të punësuarve, por nuk ia dolëm të ulemi në tavolinën e dialogut social me partnerin tonë social – Qeverinë” – kishte thënë Hykolli.

“Kësisoj të gjejmë zgjedhjen e duhur për të gjithë bashkërisht” – tha ai duke shtuar se mos shpallja e grevave do të ishte vendim jo i mirë që nënkupton mosveprim sindikal dhe shkelje të ligjit.

Tri kërkesat e BSPK-së kishin bërë që të mbaheshin edhe protesta. Pjesëmarrje masive të protestueseve kishte pasur më 8 prill të këtij viti në kryeqytet.

Punëtorë nga i gjithë vendi ishin mbledhur pranë Bibliotekës Kombëtare, të cilët në mënyrë paqësore kishin kaluar rrugët e Prishtinës për t’u mbledhur më pas tek Teatri Kombëtar e Qeveria e Kosovës.

Gjithçka kishte përfunduar qetë, përderisa një proteste e njëjtë ishte mbajtur më pas edhe më 20 prill.