Krishtina Gashi-Bytyçi dhe Gazmend Bytyçi, Foto: Kristina Gashi-Bytyçin, Facebook
Burri i kryesueses së Kuvendit të Ferizajt punësohet si mësimdhënës
Gazmend Bytyçi, është punësuar mësimdhënës për lëndën “Makineri” në shkollën e mesme Teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj.
Sipas vendimit të datës 10 tetor të vitit 2020, Bytyçi është zgjedhur si kandidati me 87.1% pikë, ndërsa kandidatët e tjerë kanë arritur me pakë pikë.
Bytyçi është i martuar me Kristina Gashi – Bytyçi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Ferizajt, nga Partia Demokratike e Kosovës, parti e cila udhëheqë me pushtetin në këtë Komunë. KALLXO.com ka kontaktuar me Gashi-Bytyçin për të parë se sa ka ndikuar pozita e saj që burri të fitojë pozitën e mësimdhënësit.
Kristina Gashi-Bytyçi ka thënë se burri i saj Gazmend Bytyçi ka punuar pothuajse gjashtë vjet si mësimdhënës në shkollën e njëjtë, në të cilën është duke punuar edhe tani.
“Nuk e ka rujtë vendin e punës qysh i takon me ligj, por është dashtë me prit 5-6 vite që me u shpall një konkurs me apliku në mënyrë të rregullt, me hy në test me shkrim dhe procedurat e tjera. Kanë qenë edhe tri vende të lira, nuk ka pas diçka në aspektin se si po e quani ju burri i kryesueses, por gjithçka ka shkuar në mënyrë të rregullt”, ka thënë Gashi – Bytyçi.
Në anën tjetër, i punësuari Gazmend Bytyci është shprehur për KALLXO.com se pozita e gruas së tij, nuk ka ndikuar në punësimin si mësimdhënës.
“Në shkollën “Pjetër Bogdani” kam punuar pesë vjet, më herët, tash gati ka një vit që jam në këtë pozitë. Jo absolutisht jo, nuk ka pas ndikim. Unë kam qenë punëtor i kësaj shkolle, thjeshtë jam kthyer në vendin e punës ku kam qenë”, ka thënë Bytyçi.
Tutje, ai ka potencuar se në shkollën “Pjetër Bogdani” ka punuar si mësimdhënës nga viti 2005 deri në vitin 2010, ndërsa më pas ka qenë drejtor në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Pastërtia”, në Ferizaj.