BURIM PIRAJ - Meka Hallall Food

Burim Piraj tregon si e lanë tre punëtorë Zvicrën për t'u rikthyer në kompaninë e tij 'Meka'

Burim Piraj, pronar i kompanisë “Meka”, gjatë emisionit të KALLXO.com të transmentuar të mërkurën ka thënë se disa punëtorë të tij janë kthyer nga Zvicra për të punuar përsëri në fabrikën e tij, për shkak se siç thotë ai, më e përballueshme ka qenë jetesa në Kosovë.

Piraj tregon se u kishte dhënë hua punëtorëve të tij që vendosën të shkonin në Zvicër..

“Ne kemi i pasur tre punëtorë që kanë dashtë me shku me punu jashtë. Unë vet i kam vetëfinancu, iu kam dhanë pare, borxh, e mi kanë kthy, masi kanë punu disa vjet atje, janë kthy kanë ardhë me punu prapë në firmën time. Ma shumë u pëlqen këtu se atje. Njëri që vazhdon me punu ende te na, ka punu në Zurich të Zvicrës, e ka pasë 5,500 franga rrogën, e te unë 500 euro. Lihet Zvicra për Kosovë, se në fund të muajit ai nuk e ka pasë asnjë cent në xhep e këtu 500 euro rroga, sigurimin shëndetësor, sigurimin pensional, dy shujta në fabrikë”, u shpreh ai.

Ai ka një mesazh edhe për të rinjtë ambiciozë që dëshirojnë të pasurohen lehtë.

“Ata që duan të bëjnë para është e thjeshtë, vetëm të punojnë dhe ta përdorin trurin, mos ta shikojnë rrethin, mos t’i shikojnë të tjerët e mos t’i shikojnë politikanët sidomos ata që kanë bërë para”, u shpreh ai. “Unë si kompani, nuk kemi pasur kurrë asnjë tender. Krijimi i një pasurie me punë është shumë e lezetshme, pasuria që krijohet me punë e me mbet nuk është lehtë. Pasuria që krijohet me tender, mund të humbet lehtë. Ata (qytetarët) duhet të kenë parasysh qe rruga që krijojnë mund t’i çojë në burg. Më duhet me iu drejtu atyre të rinjve që po merren me drogë, me kultivimin e marihuanës”, shtoi ai.

Më tej, Piraj u ankua se shteti kosovar nuk ka krijuar asnjëherë kushte për investime të huaja. Lidhur më këtë përmendi faktin se detyrohen të paguajnë ende taksën doganore për lëndën e parë.

“Nuk ka kriju shteti kushte për investime. Vazhdojmë te paguajmë edhe taksë për lëndën e parë në doganë, me fjalë e kanë edhe TVSH-në e taksën doganore, ne i pagujmë kanaçet, pjesët rezervë kurse vendet e CEFTA-s që sjellin konserva në Kosovë nuk pagujnë taksë doganore. P.sh. nuk e kanë zhvillu arabët Dubain, por ka ofru kushte për investitorët… Një politikan që e do vendin nuk shitet për para”, shtoi ai.

Piraj në këtë emision që u diskutua për vullnetarizmin tregoi se disa herë është vetorganizuar me qytetarët e fshatit të tij për t’i pastruar rrugët nga bora afër shtëpive të fshatit.

Përballë gazetares Jeta Xharra të ftuar ishin Dajana Berisha – drejtoreshë e Forumit Iniciativa Qytetare e cila ndan edhe çmimet “Fides”, Burim Piraj – pronar i kompanisë “Meka”, Besart Kunushevci – Platforma Akademia dhe Flutur Latifi – Organizata Kosovare e Studentëve të Mjekësisë.