Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Britania transferon komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO: T’i ofrojë trupa shtesë Kosovës, nëse duhet

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO, që t’i ofrohet mbështetje Kosovës nëse kërkohet një gjë të tillë, shkruan Reuters.

Nga Ministria e Mbrojtjes thonë se kanë transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) – në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) – në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”- ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Britanisë në një deklaratë.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë.

Pjesëtarët që u vranë janë Stefan Nedeljkoviq, nga Zveçani dhe Igor Millenkoviq e Bojan Mijailloviq nga Leposaviqi.