Bislimi u kundërpërgjgigjet Tahirit e Gashit për marrëveshjen e targave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka falënderuar Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës për punën e bërë për 12 ditë për mbrojtjen e vendkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak.

Bislimi po ashtu iu kundërpërgjigj deklaratave të parafolësve të tij, Abelard Tahiri dhe Arben Gashi.

“Tre diskutantë u morën më intensivisht me marrëveshjen dhe secili prej tyre përhapi të pavërteta dhe shpifje”, deklaroi Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka kundërshtuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahri duke thënë se marrëveshja për targat ishte e konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe opinionin qendror.

“Diskutanti i parë i cili tha se marrëveshja nuk ishte e konsultuar as me opozitën e as me bashkësitë ndërkombëtare. Ky vendim i është komunikuar si bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe opinionit vendor që me datën 9 shtator 2021, dymbëdhjetë ditë para fillimit të zbatimit të tij dhe deri më sot nuk e kam ditur që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të konsultohet me kryetarin të Grupit Parlamentar të PDK-së për të marrë një vendim operativ”, ka deklaruar Bislimi.

Ai gjithashtu tha se për dy dekada Serbia ka lëshuar targa ilegale por sipas tij e pavërteta është se ato nuk janë pranuar nga Kosova.

“Diskutanti i parë po ashtu tha se për dy dekada Serbia ka lëshuar targa ilegale që nuk janë pranuar kurrë nga Kosova. Kjo është gjysmë e vërtetë. E vërteta është se po për dy dekada ka lëshuar targa ilegale por e pavërteta është  që nuk janë pranuar nga Kosova. Ato janë pranuar dhe janë toleruar dhe janë lejuar dhe parkuar para ndërtesës së Qeverisë për vite me radhë”, është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministri Bislimi.

Sipas Bislimit një tjetër e pavërtetë që ishte përmendur ishte edhe pagesa e stikersave.

“U tha ju i merrni 5 euro për vendosjen e stikersave, kjo është gënjeshtër e kulluar. Stikersat janë pa pagesë”, ka thënë Bislimi.

Ai gjithashtu i është kundërpërgjigjur deklaratave të Arben Gashit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Diskutanti i dytë që tha kryeministri po bën shou me këtë marrëveshje. Unë pajtohem që ju reciprocitetin e shihni si shou, po mos të kishte qenë shou do ta kishit bërë edhe më herët”, është shprehur Bislimi.

Ndërsa në anën tjetër deputeti Abelard Tahiri kishte replikuar duke thënë se pozicioni i Besnik Bislimit duhet shqyrtuar.

“Pozicioni i këtij personi që e kemi zëvendëskryeministër duhet me u rishqyrtu nëse kryeministri don me ja bo një favor këtij vendi këtë mundet me lan zëvendëskryeministër po duhet me tërheq prej bisedimeve sepse e ka bo një dëm të madh”, ka deklaruar deputeti i PDK-së Abelard Tahiri.