Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Bislimi dhe Petkoviq pritet që të takohen sot në Bruksel

Me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet që të takohen sot më 02.07.2024 në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga BE-ja kanë bërë të ditur se palët do të diskutojnë për “nisjen urgjente me zbatim të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Ndërsa emisari Lajçak ka paralamëruar se në takimin me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, do të punojnë për hapa konkret për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes bazike.

Diskutime sfiduese “si kurrë më parë”, i ka cilësuar Lajçak takimet e së, më 26.06.2024, kur ai me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Javën e kaluar, Borrell dhe unë pritëm Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Beograd-Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh Kryenegociatorët për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”- ka shkruar Lajçak në Facebook.

Takimi mes dy kryenegociatorëve u paralajmërua edhe javën e kaluar në Bruksel nga Borrell.

Në anën tjetër, më 26.06.2024, shefi i diplomacisë së BE-së  bashkë me Lajçak, zhvilloi takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq, porse një takim trepalësh nuk ndodhi.

Kjo ndodhi pasi Kurti kishte prezantuar tri kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve.

Kryeministri theksoi se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.

“Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijne nëpërmjet tri garancive që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Vetëm nënshkrimi  marrëveshjes sjell sigurinë ligjore juridike dhe anulon shkeljet e mëhershme”- u shpreh ai.

“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Cili është kuptimi që të zbatosh marrëveshje apo të përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet kur të thonë se do të respektohen. Kurse garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.

Kryenegociatorët Bislili dhe Petkoviq kanë mbajtur një sërë takime trepalëshe me ndërmjetësim të Lajçak, porse të gjitha kanë qenë me fokus në çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron, si valutën e vetme në vend.

Edhe pas shtatë takimeve, palët nuk kishin arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Ndërkaq, Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Në mars të vitit 2024, u shënua një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.