Bislimi pas takimeve në Bruksel: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, ka deklaruar se pala serbe dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes bazë – të ecet përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Bislimi para gazetarëve tha se tri temat që kanë dominuar në takimin e sotëm, më 02.07.2024, kanë qenë formalizimi i marrëveshjes dhe finalizimi i planit të sekuencimit, zbatimi i marrëveshjes së energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë në luftë në Kosovë.

“Tek pjesa e formalizimit të marrëveshjes apo finalizimit të planit të sekuencimit është parë shumë qartë problemi bazik që e kemi; Serbia nuk mendon që marrëveshja duhet të nënshkruhet për arsye se mendojnë që mjafton ajo se çka ka thënë Borrell se ka një marrëveshje dhe ata do të zbatojnë disa nga obligimet e marrëveshjes. Në pyetjen tonë të disahershme ata kanë tregu që dhe kanë bë të qartë se ka pjesë të marrëveshjes që nuk i zbatojnë dhe ka pjesë që nuk do t’i zbatojnë, që d.m.th. edhe para Lajçakut e kanë pranuar se nuk do e respektojnë në plotëni”- ka deklaruar Bislimi.

Zëvendëskryeministri është shprehur se kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka qenë i interesuar në vetëm një pikë, përderisa pala kosovare ka pasur propozime për secilën pikë dhe se sipas tij “është e rëndësishme që marrëveshja bazike të pranohet në plotni”.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Por Petkoviq ishte i interesuar vetëm për një pikë që nënkupton aprovimi i draft-statutit evropian. Kanë thënë se mund të diskutojmë për pika të tjera pasi të ecet përpara me zbatim të Asociacionit. Ndërsa pala kosovare ka pasur propozime për secilën pikë dhe është e rëndësishme që Marrëveshja bazike të pranohet në plotëni”- tha Bislimi.

Më tej, Bislimi ka deklaruar se Lajçak u ka kërkuar palëve që deri më 18.07.2024 të dërgojnë komentet me shkrim për marrëveshjen.

“Plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës pasi s’mund të dizajnojmë 10 plane të sekuencimit. Kërkesa e Lajçakut deri më 18 korrik të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje, propozime do të bëhen të njohura edhe për palët dhe kjo do të tregojë se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen” – ka thënë Bislimi pas takimit.

Pas 7 orë takimesh ka përfunduar rundi i ri i takimit në Bruksel. Lajçak tha se janë dakorduar për një sërë hapash.

“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me drejtorin Petar Petkoviq diskutuam gjerësisht për një sërë çështjesh dhe u dakorduam për një sërë hapash në vijim”- ka shkruar Lajçak.

Paraprakisht, emisari Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe me Petkoviq. Këto takime u pasuan me një takim trepalësh.