Qeveria e Kosovës: Në takimet në Bruksel u ekspozua sërish fakti tashmë i konfirmuar që Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen bazike në tërësi
Qeveria e Kosovës thotë se në takimet e sotme në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel u diskutua mbi formalizimin e Marrëveshjes bazike, si element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me aneksin e Ohrit, mbi planin e sekuencimit, zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë, si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera.
Kosova në këtë takim u përfaqësua nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Sipas një komunikate për media, nga diskutimet, sidomos në dy pikat e para, u ekspozua sërish fakti tashmë i konfirmuar disa herë dhe publikisht që “Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj”.
Sipas Qeverisë, pala serbe reuzoi të përfshihet në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar.
“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit”- thuhet në kumtesë.
Qeveria thekson se zvarritje në zbatim nga ana e Serbisë janë evidentuar nga kryenegociatori i Kosovës edhe në Marrëveshjen për Energjinë.
“Takimi i sotëm, që zgjati më shumë se 6 orë, nisi me takime bilaterale, ndërsa u përmbyll me atë trilateral. Vazhdimi i procesit mbetet tek përpjekja për të gjetur rrugën përpara në arritjen e dakordimit rreth formalizimit dhe planit të sekuencimit për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të cilën BE-ja e ka shpallur si ligjërisht të obligueshme në tërësinë e saj dhe aneksit të zbatimit, që pikë fillestare duhet ta ketë formalizimin e marrëveshjes mes palëve”- bëhet e ditur në komunikatë.
Emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, ka thënë pas takimeve se janë dakorduar për një sërë hapash.
“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me drejtorin Petar Petkoviq diskutuam gjerësisht për një sërë çështjesh dhe u dakorduam për një sërë hapash në vijim”- ka shkruar Lajçak.
Paraprakisht, emisari Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Këto takime u pasuan me një takim trepalësh.