Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Komuna e Prizrenit u vonua në realizimin e tri projekteve kapitale
Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2023 ka pasur vonesa në realizimin e tri projekteve kapitale.
Sipas raportit të Auditorit, shkak i vonesave ishte mungesa e mjeteve në dispozicion për të përfunduar kontratën si pasojë e planifikimit jo të duhur të projektit, si dhe të disa problemeve në shpronësimin e pronave.
“Me kontratën publike të nënshkruar mes komunës dhe kontraktuesit, përcaktohen kushtet e veçanta kontraktuale si dhe afati kohor për realizimin e projektit. Menaxherët e kontratave duhet të monitorojnë dhe të sigurojnë se kontratat po realizohen si duhet dhe në afatin e përcaktuar” – thuhet në gjetjen e Auditorit për Komunën e Prizrenit.
Vonesat në kryerjen e projekteve, sipas ZKA-së, ndikojnë në rritjen e obligimeve kontraktuale të cilat mund të kenë implikime buxhetore për buxhetin e vitit pasues. Veç kësaj, në raport thuhet se kjo ndikon në performancën dhe mosarritjen e objektivave të përcaktuara të Komunës.
“Kryetari duhet të sigurojë vendosjen e kontrolleve në menaxhimin e kontratave duke zbatuar një mbikëqyrje të rregullt dhe efektive. Realizimi i kontratave të bëhet në përputhje me planin dinamik/afatin për kryerjen e punëve/furnizimeve dhe për vonesat e pa arsyetuara, të aplikohen masat/ndëshkimet e parapara në kontratë” – ka rekomanduar ZKA.
Tri rastet ku janë evidentuar vonesa në realizimin e projekteve janë;
-Kontrata “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e objekteve të klubeve sportive dhe shtruarja me tartan’’ në vlerë 174,174€, e nënshkruar më datë 03.02.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 180 ditë;
-Kontrata “Ndërtimi i rrugës Trepetice – Petrove’’ në vlerë 198,933€, e nënshkruar më datë 23.05.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 120 ditë; dhe
-Kontrata ’’Ndërtimi i rrugëve lokale Lubizhde të Hasit’’ në vlerë 327,118€, e nënshkruar më datë 08.03.2021, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 360 ditë. Deri sa ishim nën auditim (prill 2024), asnjëra nga këto projekte nuk ishin të përfunduar.
Me këtë gjetje është pajtuar Komuna e Prizrenit.
Komuna e Prizrenit ka marrë opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Opinioni i pamodifikuar jepet kur Pasqyrat Financiare janë në përputhje të plotë me standardet.
Raporti i vitit 2023 për këtë komunë ka rezultuar me 13 rekomandime,. Prej tyre, 7 janë të reja, 5 të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të publikohet në raportin që do të publikohet në vitin 2025.
Auditori në raportin e vitit 2022 kishte dhënë 14 rekomandime për Komunën e Prizrenit. Deri në fund të auditimit për vitin 2023, 7 rekomandime janë zbatuar, pesë nuk janë adresuar ende ndërsa një në proces të zbatimit dhe një nuk është i aplikueshëm.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Prizrenit mund ta lexoni në këtë LINK.