Foto: Besnik Bislimi / Facebook
Besnik Bislimi takoi përfaqësues të Luginës së Preshevës, premton mbështetjen e Qeverisë së Kosovës
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se është takuar me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Bislimi ka njoftuar se me përfaqësues të Luginës së Preshevës ka biseduar lidhur me situatën aktuale në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak dhe qasjen diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Bislimi ka thënë se mbrojtja e identitetit shqiptar dhe kulturës atje është nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare, duke premtuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës për Luginë edhe në të ardhmen..
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët në Luginë e Sanxhak përmes përkrahjes financiare në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit kombëtar, por edhe lobimit në shërbim të vetëdijësimit ndërkombëtar në lidhje me politikat diskriminuese me të cilat përballen shqiptarët në Serbi”- ka shkruar Bislimi në Facebook.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 27.06.2025 ka marrë vendim për ndarjen e 626,000 eurove si mbështetje për arsim dhe lobim për Luginën e Preshevës.