Beqaj: Qasja e Qeverisë Kurti ndaj dialogut me Serbinë, e gabuar politikisht

Politologu kosovar, Behlul Beqaj ka vlerësuar se qasja e Qeverisë Kurti 2 ndaj dialogut me Serbinë ka qenë politikisht e gabuar.

Sipas tij, procesi i negociatave nuk ka pasur rezultate konkrete.

“Qasja ndaj dialogut nga Qeveria Kurti ka qenë joreale dhe politikisht e gabuar. Aspekti tjetër ka të bëjë me qasjen ligjërisht të papërgjegjshme karshi dialogut. Procesi ka përfunduar pa rezultate konkrete”, ka thënë ai.

Njohësi i zhvillimeve politike, thotë se është i shqetësuar se si Qeveria “nuk frikësohet nga problemet nga strukturat paralele”.

“Shqetësimi im më i madh është sesi kjo qeveri nuk frikësohet, nuk trishtohet nga problemet reale që po e gërryejnë shtetin nga strukturat paralele, pra nuk frikësohen nga ato që po i shohin për çdo ditë e që janë të prekshme”, tha analisti.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mban tryezë diskutimi lidhur me ecurinë dialogut Kosovë-Serbi nën drejtimin e Qeverisë Kurti.

Në këtë panel po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai i është kundërpërgjigjur analistit Beqaj.

“Për dijeninë tuaj që nga takimi i parë që kemi pasur në Bruksel, është pala e Kosovës që vjen e përgatitur dhe me propozime. Ne nuk frikësohemi i as nga Asociacioni as nga strukturat paralele, i kemi identifikuar të dyja si çështje dhe kemi marrë qëndrim. Marrëveshja për asociacionin është njëra prej 33 marrëveshjeve, asgjë më shumë”, tha Bislimi.

Ai ka thënë se për shkak të situatës në Ukrainë, është koha që pesë vendet e BE-së që s’e njohin Kosovën të tregojnë se nuk lejojnë destabilim, duke folur për dialogun me Serbinë.

Bislimi ka theksuar se pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, e shtojnë fuqinë negociuese të palës serbe.

“Ende kemi pesë shtete mosnjohëse të cilat në mënyrë artificiale e manipulojnë rezultatin e dialogut, dhe e shtojnë fuqinë negociuese të palës serbe, duke rritur kërkesat e kësaj pale. Ky është momenti deciziv që vendet mos njohëse të tregojnë qartë qe nuk lejojnë destabilizim. Jam i brengosur me pozicionimin e palës serbe, po aq shqetësues për mua është e fakti që krahas mosgatishmërisë për tu drejtuar me BE-në dhe tendenca për të përfituar ekonomikisht nga situata”, tha Bislimi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2011.