Foto: KALLXO.com

Bislimi: Pesë vendet e BE-së që s’e njohin Kosovën, e shtojnë fuqinë negociuese të palës serbe

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës ka thënë se për shkak të situatës në Ukrainë, është koha që pesë vendet e BE-së që s’e njohin Kosovën të tregojnë se nuk lejojnë destabilim, duke folur për dialogun me Serbinë.

Bislimi ka theksuar se pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, e shtojnë fuqinë negociuese të palës serbe.

“Ende kemi pesë shtete mosnjohëse të cilat në mënyrë artificiale e manipulojnë rezultatin e dialogut, dhe e shtojnë fuqinë negociuese të palës serbe, duke rritur kërkesat e kësaj pale. Ky është momenti deciziv që vendet mos njohëse të tregojnë qartë qe nuk lejojnë destabilizim. Jam i brengosur me pozicionimin e palës serbe, po aq shqetësues për mua është e fakti që krahas mosgatishmërisë për tu drejtuar me BE-në dhe tendenca për të përfituar ekonomikisht nga situata”, tha Bislimi.

Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur ende pesë vendet anëtar të BE-së, Greqia, Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mban tryezë diskutimi lidhur me ecurinë dialogut Kosovë-Serbi nën drejtimin e Qeverisë Kurti, ku po merr pjesë edhe Bislimi/

Ai shtoi se Qeveria Kurti ka dalë dy prioritet bazë që sipas tij janë vendet e punës dhe fuqizimi i ligjit.

Bislimi ka shtuar se dialogu është prioritet e katërt i Qeverisë.

“Kjo nënkupton që nuk duhet domosdoshmërishtë që një pjesë e madhe e kabinetit qeveritar të trajtojë këtë temë, por kjo nuk e humb aspak rëndësinë që ka. Pala tjetër në dialog është e përfaqësuar nga Petkoviç i cili është vetëm drejtor i zyrës për Kosovën, nuk ka asnjë pozitë në qeveri, ndërsa unë kam komunikim të vazhdueshëm me Kryeministrin Kurti”, tha ai.

Zëvendëskryeministri ka thënë se palët në dialog duhet të jenë të barabarta, dhe se principi i reciprocitetit është vërejtur në terren por edhe në tavolinën e bisedimeve.

“Nuk diskutojmë për çështjet e brendshme të Kosovës në dialog. Ne që në start e kemi pasur të qartë që është i domosdoshëm një dialog me serbët e Kosovës. Me Serbinë nuk rihapim temat e së kaluarës, këto i shohim si çështje të implementimit, dhe për këtë është përgjegjëse Bashkimi Evropian. Tek marrëveshja ligjërisht e obligueshme, për të filluar dialogu i mirëfilltë ne duhet të vendosim kornizat dhe na duhet dakordim. Dhe shpresojmë që në takimin e radhës Kurti- Petkoviç të diskutohet kjo çështje”, tha ai.

Tema tjetër që sipas Bislimit është imponuar si temë jashtë marrëveshjes së përgjithshme është ajo  targave të veturave.

“Jemi përkujdesur për të vendosur trajtimin e barazisë. Ideja është që të kemi një marrëveshje të përhershme në bazë te standardeve më të mira. Deri më tani ka pasur 5 takime, duhet dalë me zgjidhje para prillit”, tha ai.

Javën e kaluar, Kosova dhe Serbia kanë mbajtur takime të ndara me përfaqësuesin e BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak.