Auditori: KEK-ut i tepruan kushinetat në vlerë mbi 60 mijë euro sepse e kishte keqplanifikuar blerjen

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i kishte tepruar një sasi e madhe e kushinetave në depo, pasi që gjatë aktivitetit të prokurimit e kishte keqplanifikuar blerjen.

KEK-u kishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 62 mijë e 160 euro për blerje të kushinetave. Operatori ekonomik i kishte dorëzuar kushinetat në depo të KEK-ut në janar të vitit 2021.

Por që në fund të vitit 2021 gjendja në depo kishte ndryshuar shumë pak. Shumica e kushinetave të blera ishin ende në depo, ndërsa KEK-u për to kishte kërkuar garanci për vetëm 12 muaj.

Rrjedhimisht, sipas ZKA-së, garancia më nuk ishte e vlefshme ndërsa kushinetat ende nuk ishin montuar në pajisje të KEK-ut.

“Për pasojë çfarëdo defekti eventual që mund të ketë në kushinetat e blera nuk mund të reklamohet tek OE-ja. Ne kemi kërkuar kartelat e kushinetave edhe për tri kontrata, me vlerë të përgjithshme 64,351 euro, që KEK-u i kishte lidhur gjatë viteve 2019-2020, dhe kemi gjetur gjendje të ngjashme sa i përket skadimit të vlefshmërisë së garancisë. Afërsisht gjysma e kushinetave të blera ishin ende në depo”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se në njërën prej kontratave të nënshkruara, 52% e kushinetave të blera ishin mbetur në depo, 48% për një kontratë tjetër, e kështu me radhë.

“Me këto katër kontrata ishin blerë 1,712 kushineta nga të cilat në depo ende ishin 1,046 sosh, e për të gjitha këto kishte skaduar afati 12 mujor i garancisë. Gjithsej vlera e këtyre kushinetave të mbetura në depo ishte 62,638 euro ose 50% e vlerës së blerjes”, thotë ZKA-ja.

Më tutje, Auditori thotë se Korporata Energjetike e Kosovës ka blerë pa pasur nevojë një numër të konsiderueshëm të kushinetave. Si shkak të kësaj, ZKA thotë se ishte komunikimi dhe koordinim i dobët mes zyrës së prokurimit dhe njësive kërkuese.

Gjatë auditimit në periudhën 2018 – 2020 që ZKA-ja ka kryer në KEK, ka gjetur se Korporata kishte zhvilluar 34 aktivitete të prokurimit për blerje të kushinetave të llojeve të ndryshme.

Më 2018 i kishte zhvilluar 12 aktivitete të prokurimit, në 2019 po ashtu 12 dhe në vitin 2020, 10 aktivitete të prokurimit.

Dhjetë prej këtyre kontratave i kishte fituar një operator ekonomik i vetëm, ose gati 30% të kontratave.

ZKA-ja thotë se edhe pse nevoja për blerje të kushinetave ishte identifikuar me kohë, planifikimi i blerjes së tyre nuk ishte efikas.

“KEK-ut iu kanë nevojitur mesatarisht 67 ditë për zhvillimin e secilit nga 34 aktivitetet e prokurimit, nga publikimi i tenderit deri te nënshkrimi i kontratës”, thuhet në raport.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për KEK-un, mund ta gjeni KËTU.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mbajtur konferencë për media me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22.

Ajo tha se dje ka miratuar dhe autorizuar dërgimin e 13 raporteve të auditimit në Institucionet përkatëse të audituara, prej tyre 11 raporte të auditimit financiar dhe dy raporte të auditimit të performancës.