Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Auditori gjen parregullsi në dhënien me qira të pronave komunale në komunën e Dragashit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se në komunën e Dragashit ka gjetur parregullsi në dhënien me qira të pronave komunale.

Kjo është bërë e ditur në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Dragashit për vitin 2022.

“Kryetari i Komunës më datë 30 maj 2023 ka marrë vendim për të formuar komisionin për vlerësim fizik të pronave komunale. Gjithashtu, me vendim të Kuvendit Komunal, të datës 21 mars 2023, është miratuar Rregullorja për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim më pak se një (1) vit të pronës së paluajtshme të Komunës së Dragashit” – thuhet në raport.

Auditori ka shpjeguar pasojat që mund të sjellë kjo gjë, duke thënë se shfrytëzimi i pronave publike, pa kontrata valide mes komunës dhe shfrytëzuesve të pronës komunale mund t’i shkaktoj komunës humbje të konsiderueshme financiare, e që po ashtu humb mundësinë për të siguruar se prona publike në dispozicion të komunës menaxhohet si duhet.

“Kryetari i komunës duhet të shtojë kontrollet lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale duke vlerësuar të gjitha kontrata. Njëherit të sigurojë së dhënia e këtyre pronave në shfrytëzim bëhet sipas kërkesave të ligjit për shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës” – është rekomandimi që auditori e ka dhënë për të parin e komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.

Me këtë gjetje është pajtuar edhe menaxhmenti i Komunës së Dragashit.

Sipas auditorit, të hyrat e realizuara nga komuna për vitin 2022 ishin 739 mijë e 850 euro.

“Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga tatimi në pronë dhe tokë, të hyrat nga lejet e ndërtimit, taksat administrative, të hyrat nga qiraja, etj.”-thuhet në raport.

Raporti i auditimit për PFV-të e vitit 2021 të Komunës së Dragashit ka rezultuar në 6 rekomandime kryesore. Komuna e Dragashit kishte përgatitur një Plan Veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatoj rekomandimet e dhëna.