Mësuesja Arta Gashi-Ahmetaj, Foto: Ministria e Arsimit
Arta Gashi-Ahmetaj shpallet “Mësuese e Vitit”, fiton çmimin “Shaban Jashari”
Mësuesja Arta Gashi-Ahmetaj e Shkollës “Zymer Zeka” të fshatit Kaliqan të Istogut, ka fituar çmimin “Shaban Jashari” si mësuesja më e mirë e vitit, të cilin ia ka ndarë Ministria e Arsimit.
Përmes një ceremonie tradicionale për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Ministria ka ndarë mirënjohje edhe për mësimdhënës tjerë të dalluar nga e gjithë Kosova.
Në këtë rast, mësuesja Gashi–Ahmetaj teksa ka pranuar çmimin, është shprehur mirënjohëse dhe ia ka dedikuar atë nënës së saj të ndjerë, e cila tha se ka qenë frymëzim dhe mbështetje në rrugëtimin e saj në arsim.
Çmimin “Shaban Jashari” e ka ndarë Përparim Kryeziu, zëvendësministri i Arsimit, i cili ka theksuar rëndësinë e rolit të mësuesve në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë.
“Mësuesit janë edhe autoriteti i parë dhe për një kohë të gjatë i vetëm për fëmijët, jashtë familjes. Përveçse burim dije e kompetence për fëmijët tanë, ata janë busull vlerore për ta teksa rriten e bëhen brezi i ri qytetarë i Republikës”- ka thënë Kryeziu.
Derisa ka shprehur falënderim për mësimdhënësit në këtë ditë, ai ka shtuar se ata meritojnë edhe respektin e përditshëm dhe përkrah urimit për ditën e tyre, u duhet edhe mbështetja për punën që bëjnë çdo ditë.
“Teksa shënojmë Epopenë e UÇK-së dhe nderojmë qëndresën heroike dhe sakrificë e familjes Jashari, zëvendësministri Kryeziu përmendi figurën e mësuesit Shaban Jashari, emrin e të cilit mban edhe çmimi i kryesor që u nda sot, i cili përfaqëson shembullin se si roli i mësimdhënësit ka qenë më i madh se sa vetëm dhënia e dijes, duke qenë edhe edukim ndër breza për dashurinë ndaj vendit, gjuhës dhe kulturës.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka uruar të gjithë mësimdhënësit 7 Marsin dhe ka shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja.