Ilustrim | Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Arrestohet një inspektor i punës, punëtorin që u aksidentua në punë dyshohet se e raportoi se u rrëzua në shtëpi
Policia e Kosovës ka arrestuar një inspektor të punës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Policisë, A.H dyshohet se ka dalë në një vendpunishte të një kompanie, në të cilin një punëtor thuhet se ka marrë lëndime të rënda trupore.
A.H, siç njofton Policia, edhe pse ishte vënë në dijeni nga hetuesit policorë se punëtori ishte lënduar në vendin e tij të punës, e që për këtë si dëshmi ka video-incizim, inspektoi dyshohet se në raportin zyrtar për hetim të aksidentit ka potencuar se viktima ishte rrëzuar në shtëpinë e tij.
“Dyshohet se personi i lartcekur ka dal në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në një vend punishte të një kompanie, në të cilën vend punishte ishte lënduar një punëtor i kësaj kompanie, duke marrë lëndime të rënda trupore dhe i njëjti (Inspektori i Punës A.H.) edhe pse ishte venë në dijeni edhe nga hetuesit policor se punëtori ishte lënduar në vendin e tij të punës, për çka kishte edhe dëshmi video-incizim dhe dëshmitar eventual, i dyshuari përkundër këtyre fakteve, përpilon “Raport Zyrtar” për Hetimin e Aksidentit, duke mos e paraqitur gjendjen faktike/reale në ketë raport, por ka potencuar se viktima ishte rrezuar në shtëpinë e tij, duke i bërë favor me këtë rast pronarit të kompanisë punë kryese”- theksohet në komunikatë.
Policia thotë se nga dëshmitë relevante të siguruara përgjatë veprimeve hetimore është gjetur se viktima nuk ka pasur fare kontratë të punës, por kontrata e punës për viktimën është proceduar në Administratën Tatimore të Kosovës një ditë pasi që ka ndodhur aksidenti/lëndimi në punë i viktimës.
“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari i lartcekur me inicialët (A. H.), dyshohet se ka kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas kodit penal të RKS-së” – bën të ditur Policia.
I dyshuari është intervistuar dhe me kërkesë të prokurorit është dërguar për 48 orë në mbajtje.