Ilustrim

Arrestohet një burrë në Pejë, dyshohet për vrasje nga pakujdesia

Një burrë është arrestuar nën dyshimet se i njëjti ka kryer veprën penale vrasje nga pakujdesia, rast ky që kishte ndodhur në shkurt të këtij viti.

Policia ka njoftuar me anë të raportit ditor se, gjatë ditës së djeshme kishin arrestuar të dyshuarit ndërsa me vendim të prokurorit është bërë edhe ndryshimi i cilësimit të veprës penale.

Më 4 shkurt të këtij viti, policia kishte njoftuar se në fshatin Levoshë të Komunës së Pejës, në mesditë, një burrë kishte vdekur derisa ekipi i mirëmbajtjes së rrjetit elektrik ka qenë duke punuar në një terren të vështirë.

Vdekjen e viktimës në atë kohë e kishte konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Trupi më pas ishte dërguar edhe për obduksion.

Për këtë rast pikërisht dje është arrestuar i dyshuari por që nuk është dhënë ndonjë detaj shtesë për të.

Vepra penale që ishte hapur në atë kohë ishte hetim i vdekjes ndërsa tani prokuroria ka bërë edhe ndryshimin e cilësimit të veprës në vrasje nga pakujdesia.