Ilustrim

Arrestohet një 19-vjeçar për narkotikë në Ferizaj, në shtëpi i gjendet arma me 11 fishekë

Policia e Kosovës ka arrestuar një 19-vjeçar në Ferizaj, i cili po dyshohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas njoftimit të policisë, më 3 janar, rreth orës 17:30, gjatë patrullimit në rrugën “Ramadan Rexhepi” kanë ndaluar të dyshuarin L.K, tek i cili është gjetur një paketim letre me substancë narkotike – marihuanë.

Policia thotë se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe janë njoftuar njësia për hetimin e narkotikëve, ndërsa pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar është bastisur shtëpia e tij.

Në shtëpinë e 19-vjeçarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me 11 fishekë, ndërsa në oborr janë gjetur edhe dy qese të substancës narkotike me marihuanë, me peshë gjithsej 20.80 gramë, dy mulli për bluarje dhe një pako letra për mbështjellje të marihuanës.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.