Arrestohet në Jarinje një burrë i dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-199 në qytetin e Vushtrrisë.

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, mashkull serb, me inicialet S.N. për dyshimet për krime lufte.

“Në vazhdën e hetimit të krimeve të luftës, Policia e Kosovës në këtë rast Departamenti i Policisë Kufitare në bashkëpunim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë ndaluar personin e dyshuar mashkull/serb (S.N.) viti i lindjes 1964 në komunën e Vushtrrisë, në cilësinë e personit të dyshuar për krime lufte” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka arrestuar të dyshuarin në pikën kufitare në Jarinje.

“I njëjti është ndaluar sot, më 18.11.2023, në Jarinje, pasi dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë” – thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

“Personi i dyshuar është dërguar në polici dhe pritet të intervistohet në prezencë të avokatit mbrojtës, ku të gjitha procedurat e mëtejme do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë” – thuhet në fund të komunikatës së Policisë.