Ilustrim

Arrestohet në Gjermani, i dyshuari për vrasjen në Kaçanik për shkak të borxhit

Policia e Kosovës ka njoftuar se është ekstraduar një i dyshuar për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në maj të vitit 2022 në Kaçanik, ku një person vdiq dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Viktima dhe i plagosuri ishin vëllezër.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari L.T., 38-vjeçar, ditë më parë është arrestuar në Gjermani ndërsa sot u ekstradua në aeroportin e Prishtinës.

I njëjti është dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe ndaj tij nga gjykata është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Lidhur e rastin, ku nga të shtënat me armë zjarri në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë personi H.B. 31-vjeçar , ndërsa plagë të rënda trupore kishte pësuar personi tjetër K.B. 34-vjeçar.

Policia ka njoftuar se mbetet në kërkim i dyshuari H.Q..

Vrasja në Kaçanik kishte ndodhur me datën 10.05.2022, në ora 14:00 në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, përball Varrezave të Dëshmorëve në Kaçanik, tek vendi i quajtur ‘’Fusha Pajtimit’’.

Në njoftim thuhet se Sektori Rajonal i Hetimeve nën autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i kishte nisur hetimet për rastin e vrasjes së rëndë.

“Sektori Rajonal i Hetimeve pas punëve intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kishte identifikuar dhe ishte vënë në ndjekje të personave të dyshuar: H. Q ( M/K) i moshës 38 vjeçar dhe L. T ( M/K) i moshës  22 vjeçar”- ka njoftuar Policia.

Tutje thuhet se, Policia rajonale e Ferizajt në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për publikimin e fotografive të personave në kërkim, kishte  kërkuar bashkëpunim me qytetarë rreth informacioneve për vendodhjen e dy të dyshuarve, e në anën tjetër Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar.

Vitin e kaluar, në një intervistë ekskluzive në “Kallxo Përnime”, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka treguar detaje për vrasjen që ka ndodhur më 10 maj në Kaçanik, ku mbeti i vrarë një person dhe një tjetër u lëndua.

Vrasja dyshohet se u krye për shkak të një borxhi që i ndjeri ia kishte të dyshuarit.

Kryeprokurori Jashari tregon detajet për vrasjen që tronditi Kaçanikun