Policia e Kosovës

Arrestohen katër burra për dhunë në familje brenda një dite në Kosovë

Katër burra janë arrestuar nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë fizike në katër raste të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimin që pas mosmarrëveshje i kishte sulmuar fizikisht dy prindërit e tij. Sipas njoftimit të Policisë si pasojë e dhunës njërit prej viktimave i është ofruar tretman mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur dje në ora 12:26, kurse i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, një burrë në Prishtinë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht motrën e tij, kishte kanosur me thikë babanë e tij të cilit ia kishte dëmtuar edhe veturën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:45. Sipas Policisë, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kurse, në rrugën “Flaka e Janarit” në Viti dje rreth orës 11:30 një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike në familjen e tij. Sipas Policisë viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit së bashku me fëmijët e saj për shkaqe të sigurisë ka shkuar te prindërit e saj. Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Malishevë është arrestuar një burrë pasi i njëjti ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 12:10. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.