Foto: Policia e Shtetit

Arrestohen 4 zyrtarë të bashkisëë së Pogradecit, akuzohen se vodhën pako me ndihma të dhuruara për qytetarët

Një video e publikuar mbrëmë në rrjetet sociale, të cilat dyshohet se tregonin zyrtarë të bashkisë së Pogradecit duke vjedhur pako me ndihma të dhuruara nga donatorë të huaj për qytetarët, ka nxitur reagimin e Policisë së Shtetit.

Pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Pakoja e fundit”, në pranga kanë përfunduar 4 punonjës të bashkisë së Pogradecit, bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

”Nga provat e grumbulluara dhe nga hetimet e mëtejshme të kryera, u bë i mundur dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit: R.F., 58-vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec; R.M., 58-vjeç, banues në Pogradec; B. Xh., 35-vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec; dhe M.M., 35-vjeç, banues në fshatin Çervenakë, Pogradec” – njofton Policia e Shtetit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pakot me sendet e vjedhura dhe një automjet tip “Audi”, me të cilin do të transportoheshin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.