Komisioni për Arsim e procedon në seancë plenare Statutin e ri të UP-së
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për miratimin e Statutit të ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Statuti i UP-së tashmë do të procedohet për seancën plenare të Kuvendit.
“Konsiderojmë që me 5 vota pro dhe një abstenim, Statuti procedohet për në seancë plenare” – tha kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola (LVV).
KALLXO.com ka raportuar për ndryshimet në Statutin e ri të UP-së.
Që nga viti 2011, kur edhe ishte miratuar Statuti i parë, versioni aktual ka pësuar disa ndryshime.
Një prej ndryshimeve, sipas versionit të propozuar është edhe mënyra e zgjedhjes së rektorit.
Sipas këtij propozimi, konsiderohet e papajtueshme e me pozitën e rektorit nëse kandidati ka ushtruar një funksion partiak apo politik në pesë vjetët e fundit nga dita e shpalljes së konkursit.
Po ashtu ky Statut pritet t’i pamundësojë të gjithë atyre që në 10 vitet e fundit kanë ushtruar aktivitet të lartë partiak apo politik që të zgjidhjen anëtarë në Këshillin Drejtues.
Po ashtu edhe sekretari i Universitetit nuk duhet të ketë të kaluar politike apo partiake, por në Statut nuk është specifikuar kufizimi i viteve, siç është përcaktuar për pozitën e Rektorit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues.