QUINT-i dhe BE-ja reagojnë për ndalimin e vizitës së patriarkut serb Porfirije në Kosovë

Ambasadat e shteteve të QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë kanë bërë një reagim të përbashkët në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos iu lejuar vizita në Kosovë patriarkut Porfirije dhe peshkopëve të tjerë serbë.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, si dhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos u lejohet hyrja në Kosovë patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopëve të tij përcjellës, që të marrin pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, ky vendim i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, i cili “qartazi përshkruan të drejtat, priviligjet, imunitetet e klerit të Kishës Ortodokse Serbe”, njëherësh “nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës të marra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Ambasadat në fjalë dhe Zyra e BE-së presin nga Qeveria e Kosovës që t’i përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Krahas kësaj, palëve u bëhet thirrje që të frenohen nga “çdo veprim apo retorikë që mund të rrisë tensionet dhe të çojë te incidentet”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, më 13.05.2024, ka konfirmuar se ka refuzuar kërkesën e patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patrikanën e Pejës, të martën.

Në një komunikatë për media, MPJD thotë se përderisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk do të lejohen vizitat e tilla.

“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë”- thuhet në komunikatë.

MPJD ka inkurajuar Serbinë që të zbatojë Marrëveshjen Bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.

Ministria e Punëve të Jashtme më herët ia ka refuzuar kërkesat për vizitë edhe Petar Petkoviqit, shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, Serbia nuk e pati lejuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për ta vizituar Luginën e Preshevës.

Për këtë akt, pati reaguar Bashkimi Europian duke kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tri komunat në jug të Serbisë (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc), e të cilat paralajmërohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogu rreth vizitave të ndërsjella.