Foto ilustrim

Digjet një kamion në Zubin Potok

Në Zubin Potok është djegur një kamion i parkuar në pronën afër shtëpisë së personit i cili ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës.

Rasti ka ndodhur më 13.05.2024 në orën 02:00.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ankuesi ka njoftuar se person/a të panjohur gjatë natës i kishin djegur kamionin të cilin e kishte te parkuar në pronën afër shtëpisë së tij.

“Rasti duke u hetuar”- thekson policia në raportin 24-orësh.

Gjatë këtij viti, në pjesën veriore të vendit kanë ndodhur disa djegie të veturave dhe të pronave.

Një veturë është djegur me datë 17.04.2024 në Leposaviq.

Siç mësoi KALLXO.com vetura ka qenë e shoferit të ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq.

Mëngjesin e datës 03.04.2024 në Mitrovicë të Veriut është djegur vetura e një polici të Kosovës.

KALLXO.com kishte mësuar se targat e veturës ishin të Serbisë dhe se vetura i përkiste një polici të nacionalitet serb, i cili nuk kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij, ndryshe nga kolegët e tij serbë të Kosovës, që masivisht u larguan nga institucionet kosovare.

Më pas, më 23.03.2024, edhe drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Leposaviq, Nenad Radosavljeviq i është djegur veranda dhe vreshti.

Ndërkaq më 08.03.2024 ishte djegur lokali i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq. Tomaniq kishte akuzuar Listën Serbe – partinë më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me këtë djegie.

Vetura i është djegur edhe kryetarit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq, më 28.01.2024. Zëvendësministri Vokrri, për këtë rast ka thënë se ka ardhur pas shpeshtimit të kërcënimeve.