Ministrja e Arsimit e rektori i UP-së pyeten lidhur e kërkesën për ndërrim të emrit të universitetit

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, në të cilin po shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për miratimin e Statutit të ri të Universitetit Publik “Hasan Prishtina, deputetja nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshi pyeti ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci nëse është për ndërrim të emrit të universitetit.

“Ministre a jeni për me heqë emrin ‘Hasan Prishtina’ nga universiteti?”-pyeti Dumoshi.

Ministrja Arbërie Nagavci u shpreh se respekton draft-statutin që ka sjell universiteti.

“Konsideroj që në këto momente të rëndësishme duhet të jemi të kujdesshëm për secilën çështje që ndikon në performancën e universitetit në rangime”- u shpreh Nagavci.

Kurse, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi u shpreh se emri “Hasan Prishtina” respekton emrin e patriotit të madh, përkundër se ka propozime që të rikthehet emri origjinal “Universiteti i Prishtinës”.

“Ajo që ka pasë konsensus brenda universitetit, kemi pas shumë diskutime me Dekan dhe Këshillin Drejtues, senatorët në kuptimin e universitetit përfaqëson barazpeshë të duhur që ruan dhe repsekton emrin e patriotit të madh ‘Hasan Prishtina’”.

“E vërtetë që ka pasur një peticion të një numri të konsideruar të studentëve, ne nuk kemi bërë verifikim të përmbajtjes së nënshkrimeve sepse nuk e kemi pa të nevojshme, por kemi dëgjuar dhe vlerësuar me kujdes shqetësimet. Ka pasë propozime nga me të ndryshmet nga rikthimi i emrit origjinal deri te një seri opsionesh tjera”- u shpreh Qerimi.

Ai tutje theksoi edhe mënyrën si është themeluar Universiteti i Prishtinës.

“Ne kemi ligj mbi të cilin është themeluar UP-ja, jo me statut, por me ligj. Nuk kemi gjetur që ka patur më vonë ndonjë ligj që shfuqizon ligjin e Kuvendit për themelimin e Universitetit. Emri me të cilin me ligj është themeluar universiteti është “Universiteti i Prishtinës”- shtoi rektori.

Ai përmendi edhe faktin që në një mbledhje Senati kishte marrë vendim për riemërim të institucionit.

“Unë kam statutin e vitit 2012 ku thuhet se emri i universitetit është ‘Universiteti i Prishtinës’. Me një mbledhje të Senatit është marrë vendimi për riemërtimin e institucionit. Kemi bërë një sqarim që thekson se ky emër i është vënë Universitetit të Prishtinës në vitin 2012. Unë mendoj në atë se çka ka qenë kuptimi organeve vendimmarrëse duke ruajtur si emër nderi emrin ‘Hasan Prishtina’, por në terma profesionalë, ne përdorimin shprehjen ‘Universitet i Prishtinës’- shtoi rektori Qerimi.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me polemikat për emrin e UP-së.

Polemikat për heqjen ose lënien e emrit ‘Hasan Prishtina’ në emërtimin e UP-së