Ankesat e BIRN dhe Internews Kosova, PZAP gjobit me 138 mijë euro partitë politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka pranuar si të bazuara 23 nga 53 ankesat e parashtruara nga BIRN dhe Internews Kosova, gjatë fushatës zgjedhore.

Shuma totale e gjobave të shqiptuara nga këto ankesa ndaj partive politike është 138 mijë e 200 euro.

Më së shumti nga ankesat e BIRN dhe Internews Kosova deri me tani është ndëshkuar Koalicioni AAK-PSD.

Shuma me të cilën është gjobitur ky koalicion është 57 mijë e 100 euro, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës e cila është ndëshkuar me 30 mijë e 900 euro dhe Lista Serbe e cila deri me tani është ndëshkuar me 30 mijë euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës është ndëshkuar me 16 mijë e 600 euro, ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD, me 2500 euro.

Ankesave të BIRN dhe Internews Kosova nuk i ka shpëtuar as partia ‘Pokret Za Gora’, ajo është ndëshkuar me 1100 euro.

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore dhe deri me sot BIRN dhe Internews Kosova në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kanë parashtruar 108 ankesa, 53 nga to kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore, ndërsa 55 me thyerjen e heshtjes zgjedhore.

PZAP deri me tani ka vendosur për 53 ankesa të BIRN dhe Internews Kosova, ndërsa në pritje janë edhe 55 ankesa të tjera.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 27 shtator e kishte pranuar  ankesën e BIRN, Internews Kosova dhe Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), duke dënuar me 30 mijë euro gjobë Listën Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 27 shtator kishte  gjobitur me 11 mijë e 100 euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Koalicioni AAK-PSD ishin të gjobiturit  e radhës me 27 shtator nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Gjoba prej 6 mijë eurove u shqiptua pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova, ku me datën 26 shtator në afërsi të shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, është parë i vendosur një poster i madh i kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinajt.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka  gjobitur më 27 shtator me 2 mijë e 500 euro Nismën Socialdemokrate pas një ankese nga BIRN dhe Internews Kosova.

Ankesa ka të bëjë me një postim të kandidatit për deputet nga kjo parti, Endrit Shala, i cili në rrjetin social ‘Facebook’ ka publikuar një fotografi nga një tubim zgjedhor, ku shihet së bashku me një fëmijë të mitur, i cili mban të veshur një bluzë që bën thirrje për ta votuar kandidatin nga Nisma.

Pas gjobës prej 6 mijë eurove që ia dha të premten, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 30 shtator ka dënuar edhe me 9 mijë e 500 euro të tjerë koalicionin AAK-PSD. Dënimi ka të bëjë me shkelje të rregullës zgjedhore ‘Fushata e Zgjedhjeve dhe Njoftimi për Ngjarjet Politike’, ku koalicioni AAK-PSD ka përdorur zyrtarët policorë në fushatë zgjedhore.

Koalicioni AAK-PSD me 2 tetor është dënuar për herë të tretë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kësaj here AAK-PSD janë dënuar me 2 mijë e 600 euro, për shkak të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ të kandidates Donika Kadaj-Bujupi, ku nga një tubim zgjedhor ka publikuar fotografi me disa fëmijë me logo të koalicionit AAK-PSD.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 2 tetor  ka dënuar  me 9 mijë euro PDK-në në dy vendime të ndara. Dënimi i parë prej 6 mijë e 300 eurove ka të bëjë me Blerand Stavilecin, i cili më 30 shtator në profilin e tij në Facebook ka publikuar një fotografi me fëmijët e tij, të cilët mbajnë veshur bluza me numrin zyrtar të PDK-së.

Ndërsa dënimi tjetër prej 2 mijë e 300 euro ka të bëjë me kandidatin për kryeministër, Kadri Veseli, i cili më 30 shtator, gjatë një tubimi në Lipjan, është parë me një vajzë të mitur duke marrë dhuratë një tufë me lule, të cilën më pas Veseli e ka marrë në skenë dhe e ka mbajtur në krahë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ditë më parë dënoi me nga 6 mijë euro LDK-në dhe koalicionin AAK-PSD, pasi këto subjekte politike kishin vendosur posterë të kandidatëve të tyre për kryeministër afër shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë.

Në vendin e njëjtë për të cilën subjektet e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit ishin dënuar, është parë  edhe posteri i Kadri Veselit, kryetarit të PDK-së dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër.

Mirëpo për posterin e Veselit, paneli i përbërë nga gjyqtarët Afijete Gllogjani, Faton Ademi e Adnan Konushevci ka vlerësuar se ankesa e parashtruar nga BIRN dhe Internews Kosova nuk përbënte shkelje të dispozitave ligjore.

Disa ditë me vonë BIRN kishte përsëritur ankesën dhe kishte bashkangjitur disa fotografi të cilat dëshmonin se bilbordi i Kadri Veselit ishte i vendosur në të njëjtin vend me atë të Vjosa Osmanit. Pas shqyrtimit të kësaj ankese, PZAP e dënoj PDK-në, me 6100 euro gjobë.