AAK-PSD dënohen me 2 mijë 600 euro nga PZAP

Koalicioni AAK-PSD është dënuar për herë të tretë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kësaj here AAK-PSD janë dënuar me 2 mijë e 600 euro, për shkak të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ të kandidates Donika Kadaj-Bujupi, ku nga një tubim zgjedhor ka publikuar fotografi me disa fëmijë me logo të koalicionit AAK-PSD.

Organizatat BIRN dhe Internews Kosova më 30 shtator kanë paraqitur ankesë në PZAP për veprimin e kandidates Kadaj-Bujupi, ku në këtë rast është shkelur Kodi i Mirësjelljes.

Në përgjigjen e tyre për ankesën, AAK-PSD kanë thënë se ankesa është e pabazuar, pasi sipas tyre, në njërën foto shihet një fëmijë, i cili nuk është i moshës së mitur, por i moshës madhore, kurse në foton e dytë deputetja Kadaj-Bujupi shihet me një nënë dhe një fëmijë, i cili nuk posedon material zgjedhor.

PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën dhe ka shqiptuar dënimin për AAK-PSD.

Vetëm prej ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, PZAP-ja deri më sot ka dënuar partitë politike me 54 mijë e 300 euro në total.