PZAP-ja dënon me 9 mijë euro PDK-në
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 9 mijë euro PDK-në në dy vendime të ndara.
Dënimi i parë prej 6 mijë e 300 eurove ka të bëjë me Blerand Stavilecin, i cili më 30 shtator në profilin e tij në Facebook ka publikuar një fotografi me fëmijët e tij, të cilët mbajnë veshur bluza me numrin zyrtar të PDK-së.
Sipas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova, kjo është shkelje e Rregullores Zgjedhore.
Në përgjigjen e PDK-së për ankesën , partia e Kadri Veselit është arsyetuar se Stavileci si anëtar i kësaj partie, ka publikuar foton familjare, e cila nuk është bërë në ndonjë takim fushate por në shtëpinë e tij.
PZAP e ka vlerësuar të bazuar ankesën dhe gjobën prej 6 mijë e 300 eurove PDK-ja ka afat prej 15 ditëve ta paguajë.
Ndërsa dënimi tjetër prej 2 mijë e 300 euro ka të bëjë me kandidatin për kryeministër, Kadri Veseli, i cili më 30 shtator, gjatë një tubimi në Lipjan, është parë me një vajzë të mitur duke marrë dhuratë një tufë me lule, të cilën më pas Veseli e ka marrë në skenë dhe e ka mbajtur në krahë.
Në përgjigje ndaj ankesës, PDK-ja ka thënë se dhurimi i një buqete me lule nga një fëmijë nuk përmban shkelje të Rregullores Zgjedhore, ndërsa nuk ka ofruar asnjë dëshmi në pretendimin e saj.
Ankesa është vlerësuar e bazuar nga PZAP-ja dhe PDK ka afat prej 15 ditëve që ta paguajë gjobën.
Vetëm prej ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, PZAP-ja deri më sot ka dënuar partitë politike me 54 mijë e 300 euro në total.