Koalicioni AAK-PSD gjobitet me 6 mijë euro nga PZAP

Koalicioni AAK-PSD janë të gjobiturit e radhës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gjoba prej 6 mijë eurove ka të bëjë pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova, ku me datën 26 shtator në afërsi të shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, është parë i vendosur një poster i madh i kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinajt.

Kjo sipas ankesës është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për subjektet politike.

Koalicioni AAK-PSD e ka pranuar shkeljen e përmendur, duke thënë se kjo është bërë nga ana e kompanisë ‘Selmans’, të cilët janë të kontraktuar për vendosjen e posterëve, ndërsa pasi është pranuar njoftimi është hequr posteri. AAK-PSD nuk kanë ofruar dëshmi në PZAP se posteri është hequr, por vetëm fotografi nga publikimi në media i thirrjes së tyre për respektimin e rregullave zgjedhore.