Foto: Facebook/ Shpend A. Ahmeti

PZAP-ja dënon me 9 mijë e 500 euro të tjera AAK-PSD për përdorim të zyrtarëve policorë në fushatë

Pas gjobës prej 6 mijë eurove që ia dha të premten, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar edhe me 9 mijë e 500 euro të tjerë koalicionin AAK-PSD.

Dënimi ka të bëjë me shkelje të rregullës zgjedhore ‘Fushata e Zgjedhjeve dhe Njoftimi për Ngjarjet Politike’, ku koalicioni AAK-PSD ka përdorur zyrtarët policorë në fushatë zgjedhore.

PZAP-ja të premten ka pranuar ankesë nga organizatat BIRN dhe Internews Kosova dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, ku pretendohej që kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, përmes llogarisë së tij  në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë fushatë me Policinë e Kosovës, ku gjithashtu ka shpërndarë një video ku shihen pjesëtarët e uniformuar të Policisë së Kosovës dhe një tekst ku shkruante ‘2000 policë shtesë deri në fund të mandatit’.

PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën dhe ka gjobitur AAK-PSD me 9 mijë e 500 euro.

Në përgjigjen e tyre për ankesën, AAK-PSD e kanë pranuar se në video janë përfshirë zyrtarët policorë, ndërsa është arsyetuar se ka ndodhur një gabim nga ana e kompanisë kontraktuese, e cila e ka realizuar reklamën. Sipas PZAP-së, koalicioni ka ofruar si dëshmi vetëm disa njoftime që i ka bërë në rrjetet sociale për anëtarët dhe simpatizantët lidhur me respektimin e rregullave zgjedhore.

AAK-PSD kanë afat prej 15 ditëve që ta paguajnë gjobën.

Koalicioni AAK-PSD gjobitet me 6 mijë euro nga PZAP

www.kallxo.com