Standard i dyfishtë i PZAP-së, e dënoi Ramush Haradinajn e Vjosa Osmanin, por jo edhe Kadri Veselin

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ditë më parë dënoi me nga 6 mijë euro LDK-në dhe koalicionin AAK-PSD, pasi këto subjekte politike kishin vendosur posterë të kandidatëve të tyre për kryeministër afër shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë.

Në vendin e njëjtë për të cilën subjektet e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit ishin dënuar, është parë  edhe posteri i Kadri Veselit, kryetarit të PDK-së dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër.

Mirëpo për posterin e Veselit, paneli i përbërë nga gjyqtarët Afijete Gllogjani, Faton Ademi e Adnan Konushevci ka vlerësuar se ankesa e parashtruar nga BIRN dhe Internews Kosova nuk përbënte shkelje të dispozitave ligjore.

Pak ditë më parë, pjesë e panelit i cili i dënoi LDK-në dhe AAK-PSD-në ishin dy nga anëtarët e panelit shqyrtues (Faton Ademi dhe Adnan Konushevci) që sot ‘amnistoi’ PDK-në, ndonëse posterët ishin në të njëjtin vend – në mbikalimin në Fushë-Kosovë, pranë shkollës “Mihal Grameno”.

Në rastin e LDK-së dhe koaliicionit AAK-PSD kryesues i panelit ishte Fejzullah Rexhepi.

Organizatat BIRN dhe Internews Kosova kanë paraqitur më 30 shtator ankesë në PZAP pasi më 29 shtator në afërsi të shkollës ‘Mihal Grameno’ janë parë dy posterë, njëri i kandidatit për deputet Donjet Bislimi dhe tjetri i Kadri Veselit.

Në ankesën e organizatave si dëshmi është paraqitur edhe fotoja ku shihen këta dy posterë.

Por, PZAP-ja e ka refuzuar ankesën, pasi sipas tyre PDK-ja nuk ka bërë shkelje ligjore, pasi “këto veprime janë të ndaluara vetëm para fillimit të votimit dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, nëse ajo shkollë shërben si qendër e votimit”.

Në përgjigjen e saj për ankesën, PDK-ja është arsyetuar se hapësira në fjalë është e dedikuar për reklama nga Komuna e Fushë-Kosovës dhe se këtë hapësirë e ka të kontraktuar ‘ADS D-line’ me të cilën kanë marrëveshje për shfrytëzim reklamues të fushatës së PDK-së.

Më 27 shtator, PZAP kishte gjobitur me 6 mijë euro Lidhjen Demokratike, pasi ishte parë posteri i kandidates Vjosa Osmani në afërsi të shkollës fillore ‘Mihal Grameno’, duke thënë se kjo është në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.

PZAP dënon LDK-në me 11 mijë euro gjobë

Për të njëjtin veprim, ku më 26 shtator në afërsi të po të njëjtës shkollë, PZAP-ja kishte dënuar koalicionin AAK-PSD me 6 mijë euro. PZAP po ashtu ishte bazuar në nenin 33 të LZP-së.

Koalicioni AAK-PSD gjobitet me 6 mijë euro nga PZAP

Vetëm prej ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, PZAP-ja deri më sot ka dënuar partitë politike me 54 mijë e 300 euro në total.

Reagimi i PZAP-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka reaguar sot (e enjte) ndaj këtij shkrimi të KALLXO.com dhe pretendon se rastet nuk janë të ngjashme.

“Në dy rastet e para kemi të bëjmë me shkelje të kodit të mirësjelljes me vendosjen e posterëve në vend i cili nuk është i destinuar për këtë qëllim, të cilin fakt e kanë pranuar të dy subjektet politike, ndërsa në rastin e dytë bëhet fjalë për vendosjen e posterëve në vend të lejuar, ndërsa pretendimi se është vendosur në afërsi të shkollës, në këtë fazë të fushatës nuk është i sanksionuar”, thuhet në reagimin e PZAP-së.

Sqarimi i KALLXO.com

Për hir të korrektësisë KALLXO.com e infomon publikun se posteri i Kadri Veselit ishte në të njëjtin vend ku vazhdon të jetë posteri i Vjosa Osmanit dhe ku ishte (tani është hequr pas gjobitjes) ai i Ramush Haradinajt.

Duke e parë si shqetësues faktin se PDK-ja nuk është ndëshkuar, ndërsa LDK dhe AAK-PSD  janë gjobitur me nga 6 mijë euro, për të njëjtin rast, KALLXO.com ka raportuar për këtë.

KALLXO.com posedon fotografi të posterit të Kadri Veselit, ku shihet qartë se kanë qenë në të njëjtin vend. Këto fotografi janë ofruar si dëshmi në PZAP të bashkangjitur me ankesë.