Foto: KALLXO.com

PZAP dënon LDK-në me 11 mijë euro gjobë

Pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 11 mijë e 100 euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjoba ka të bëjë me tri ankesa që organizatat kanë bërë në datat 25 dhe 26 shtator.

Gjoba e parë prej 2 mijë e 600 euro ka të bëjë pas ankesës se kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani,  në tubimin qendror të hapjes së fushatës, është parë bashkë me dy vajzat e saj, ku të dyja vajzat e Osmanit kishin të vendosur materiale zgjedhore në veshjet e tyre. Kjo sipas ankesës është në kundërshtim me Rregullën Zgjedhore Nr. 13/2013 për ‘Fushatën e Zgjedhjeve dhe Njoftimin për Ngjarjet Politike’.

Në përgjigjen e LDK-së për ankesën thuhet se edhe ish-presidenti i ShBA-ve, Barack Obama, e kishte bërë të njëjtën gjë në hapjen e fushatës në vitet 2008 dhe 2012.

Kurse si arsye tjetër, LDK-ja ka thënë se vajzat e kandidates janë pjesë e familjes së saj, që nënkupton se Vjosa Osmani para masës dhe elektoratit ka prezantuar me bashkëshortin dhe vajzat e saj, e që fëmijët nuk kanë qenë të përdorur për fushatë, pasi kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre.

Gjoba e dytë e PZAP për LDK-në prej 6 mijë eurove ka të bëjë me vendosjen e një posteri të madh të kandidates Vjosa Osmani afër oborrit të shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, poster i cili ishte parë më 26 shtator. Kjo sipas ankesës, është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës.

Ndërsa LDK-ja si përgjigje për këtë ankesë ka thënë se në rrethanat në të cilat është duke u zhvilluar fushata, komunat nuk kanë arritur ashtu siç kërkohet të krijojnë hapësira të veçanta për vendosjen e materialeve zgjedhore.

Kurse gjoba e tretë e PZAP për Lidhjen Demokratike prej 2 mijë e 500 euro, ka të bëjë me kandidatin për deputet nga kjo parti, Ilir Ferati, i cili në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ ka publikuar një fotografi nga një tubim i fushatës zgjedhore, ku shihet kryetari i partisë, Isa Mustafa, duke bërë fushatë me disa fëmijë me logo të LDK-së. Kjo sipas ankesës, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes.

Në përgjigjen e LDK-së për ankesën, thuhet se fëmijët e parë në fotografi janë anëtarë të familjes Mustafa, përkatësisht nipa dhe mbesa të Isa Mustafës, ndërsa LDK-ja nuk ka ofruar asnjë provë që e fakton këtë pretendim.